20 vjet nga triumfi mbi mbetjet e nomenklaturës komuniste
Sot Tirana në festë, përkujton përvjetorin e fitores së zgjedhjeve të para demokratike nga PD dhe koalicioni i saj antikomunist. Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” tek Sheshi “Nënë Tereza”, pjesë e kremtimeve do të bëhen jo vetëm PD dhe dëshmitarë të fitores historike, por edhe Shoqata “Tirana”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe artistë të dansit sportiv
Kryeqyteti do të festojë sot 22 marsin, ditën e parë të demokracisë në Shqipëri, ndërsa qytetarë të Tiranës do të marrin pjesë në këto aktivitete festive në kremtim të ditës së triumfit të demokracisë.
Dita e 22 marsit, përkon sot me 20 vjetorin e fitores së PD-së, në zgjedhjet e para demokratike. Pas një sistemi diktatorial, mbi katër dekada, më 22 mars 1992, PD erdhi në pushtet, duke korrur një fitore bindëse në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj date.
Në përkujtim të kësaj dite, programi i festimeve të këtij përvjetori parashikon një seri aktivitetesh që do të fillojnë nga paraditja deri në mesditën e se enjtes.
Duke nisur nga ora 10.00 artistë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore do të performojnë për qytetarët në rrugën “Murat Toptani”.
Përpara “Hotel Dajtit”, artistë të Cirkut të Tiranës do të japin një shfaqe të veçantë, ndërsa artistët e Dansit Sportiv do të performojnë në bulevard orën 10.30.
Kulmi i festimeve do të shënohet në mesditë, kur në sheshin “Nënë Tereza”, PD-ja, prej ditësh ka ftuar gjithë qytetarët, në një koncert festiv madhështor, në përkujtim të kësaj dite.
Në nderim të kësaj dite, edhe Shoqata “Tirana” në bashkëpunim me institucionet vendore, do të organizojë një sërë aktivitetesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Nënë Tereza”.