E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktika jonë për klimën e biznesit bazohet në praktikat më të avancuara në botë

22-03-2012 / Nga Sali Berisha

E gjithë praktika jonë për klimën e biznesit në Shqipëri duhet të bazohet në praktikat më të avancuara të planetit. Kemi të bëjmë me një garë, që në kushtet e kësaj krize, e një rëndësie më jetike se kurrë është  përmirësimi e konsolidimi i mëtejshëm i klimës së biznesit. Me përpjekjet tona në këtë aspekt, ne arritëm të renditemi në 10 vendet e para të botës për sa i përket regjistrimit të biznesit dhe të qëndrojmë qartësisht 27 për qind më lart se vendet e zhvilluara, anëtare të OECD-së, të qëndrojmë 5 për qind më lart se vendet e zhvilluara, anëtare të OECD-së, në investimet në sektorë. Ne arritëm të kemi një pozicion shumë të lakmueshëm në botë për mbrojtjen e investimeve, të jemi në pozicionin e 17 midis produktivitetit dhe pagave. Por, gjithashtu, ne kemi edhe pozicione shumë të pa lakmueshme, madje dekurajuese, siç ishin lejet e ndërtimit, të cilave po u japim një përgjigje përfundimtare. Për shkaqe tashmë të njohura, ish kryetari i bashkisë i kishte shndërruar ato në procesin më labirintik dhe të paimagjinueshëm, një proces që e vithisi Shqipërinë në pozicionin e 183 në botë, me rreth 400 ditë. Por nuk dua të zgjatem më tej në këtë çështje, pasi qytetarët e Tiranës folën shumë qartë në datën 8 maj të vitit të kaluar. Le të fillojmë nga analiza. 1. Regjistrimi i biznesit. Në mbledhjen e fundit të Task Force, ne vendosëm që nga numri i hapave për regjistrimin e biznesit të zbritej nga pesë në dy. Por ka një vend që ka vetëm një hap dhe ky është Zelanda e Re. Zotërinj ministra, duhet që edhe ne të kemi modelin me një hap dhe mbledhja tjetër e Task Force do të aplikojë këtë model, pasi nuk ka pse një vend ta ketë me një dhe ne me dy hapa. Të shohim ku fle burokracia. U bë shumë mirë që procedurat u zbritën në dy hapa, por nëse është e mundur të zbresim në një, duke vendosur kështu standardin më maksimal. 2. Kostoja. Ne kemi si kosto vetëm një euro dhe duke marrë si referencë pagën minimale, jo atë mesatare, i bie 0.75 për qind, pra, shumë më pak. 3. Leja e ndërtimit. Marrja e lejes së ndërtimit zbritet nga 390 ditë në 35 ditë. Ndërsa për sa i përket procedurave burokratike, nga 24 mbeten të agreguara 5 procedura burokratike. Sa i përket shkurtimit të kohës mbetemi pas Singaporit, por le të aplikojmë këtë standard që kemi vendosur. 4. Lidhja me energji. Nga 177 ditë, çka ishte e papranueshme, e zbritën në 45 ditë dhe nga 6 mbetën 4 hapa. Zotërinj ministra, 45 ditë është sërish i papranueshëm, pasi vende të mëdha si Gjermania e kanë 17 ditë. Shqipëria nuk ka pse ta ketë asnjë orë më shumë se 17 ditë. Gjermanët bëjnë lidhje të përsosur e të studiuar, sa nuk e bëjnë të tjerët. Ne nuk duhet të kemi dyfishin e kohës. Ndaj të shihet se ku fillon kalkulimi, por nuk mund ta kemi këtë pozicion absolutisht më shumë se 17 ditë. 5. Regjistrimi i pronësisë. Procedurën e regjistrimit, Gjeorgjia, Zelanda e Re e kanë 2 ditë. Shqipëria e ka 33 ditë. Në Task Force u mendua të kalohet në 13 ditë, por nuk duhet ta kemi as edhe një ditë më shumë se Gjeorgjia, një vend i lirë, në demokraci, Shqipëria do të ketë atë standard që kanë vendosur edhe ata. Çfarëdo mobilizimi që duhet të bëjmë, do ta bëjmë për të vendosur këtë standard. Këtë standard, prej dy ditësh, aplikon edhe Zelanda e Re, por unë po i referohem Gjeorgjisë si një vend në zhvillim. Ndaj Ministria e Drejtësisë të studiojë praktikën e tyre dhe në mbledhjen e ardhshme të Task Force-s, që do të bëhet në një hark kohor dy javor, të sillet kjo praktikë. Ne duhet t’i shërbejmë biznesit, jo t’ia rrënojmë kohën, e cila gjëja është më e çmuar për të gjithë. 6. Marrja e kredisë. Në këtë aspekt jemi mirë, jemi baras me Shtetet e Bashkuara dhe më mirë se të gjitha vendet e tjera që e kanë procedurën kohore 10 ditë, përveç Maqedonisë e cila e ka 7 ditë. Por le të qëndrojmë këtu ku jemi, me 9 ditë. 7. Mbrojtja e investitorëve. Edhe këtu jemi mirë, por mund ta përmirësojmë. Nuk jemi larg pozicioneve më të mira dhe do të merret grupi i masave që Zelanda e Re dhe Maqedonia ka marrë. Nuk po marrë si referencë Hong Kongun apo Singaporin, sepse këto vende kanë specifikat e veta. 8. Pagesa e taksave. Me finalizimin e pagesës on-line, koha do të shkurtohet në mënyrë të ndjeshme. Sistemi i ri vendoset në qershor. Zoti ministër i Financave, në rast se do të avancohej një muaj, kjo do të ishte shumë e dobishme. Vendimi i fundit i Task Force-s nuk është larg, por në rast se do afrohej, kjo do të na nxirrte në një pozicion shumë më të përshtatshëm. Në formën që është me tregues në orë, është e papajtueshme, ndaj duhet bërë gjithçka për të shkurtuar kohën, për të dalë në standardin që arrihet me sistemin e ri, ndaj të shihet mundësia të dalim një muaj para afatit. Ky muaj ka një vlerë të veçantë në përllogaritje dhe nuk duhet t’ia kalojmë vitit që vjen, pasi sistemi i ri e përmbys krejtësisht këtë tregues.  9. Tregtia e jashtme. Lidhur me kohën e eksportit dhe importit, sipas raportimit që u bë, ka një ndryshim rrënjësor. Importi duhet të zbresë në 2 dokumente. Për sa i përket kohës, ne ulemi. Sipas raportimit që bëri dogana, zbritet në 410 minuta për importet dhe rreth 200 minuta për eksportet. Ne nuk mund të bëjmë raportim tjetër përveç atij që bëjnë doganat, të cilat e kanë të matur atë në mënyrë dixhitale dhe të faktuar këtë. Sa i përket dokumenteve, nëse është e mundur të hiqen edhe dy të tjera, të bisedohet kjo me doganat, pasi sistemi ynë doganor është tërësisht dixhital. Të studiohet rasti i Francës që e ka me 2 dokumente, ndërkohë që ne e kemi me 4, edhe pse të gjitha vendet në pozicionet më të mira e kanë me 4 dokumente. Por të shihet nëse mund të zbresim në 2 dokumente. Duhet që çështja e kohës të përcillet me vërtetësinë më të madhe. Doganat insistojnë se është 410 minuta, e verifikuar kjo. 10. Zbatimi i kontratave. Nuk ka njerëz më korrektë se shqiptarët në zbatimin e kontratave! Duhet të shohim çdo problematikë që ka lidhje me burokracinë e që ndikon në zbatimin e kontratave. Moralisht, shqiptarët janë njerëzit më të gatshëm për t’i qëndruar kontratës. Kjo është trashëgimia më pozitive që kemi në rrafshin e biznesit. Nuk mund të nisemi nga një rast i veçantë, por, në tërësi, njerëzit i qëndrojnë detyrimit. Në këtë aspekt, do të merret shembull frymëzues Koreja e Jugut, ku afati i më i shkurtër i problematikës me zbatimin është 230 ditë. Të studiohet përse ky vend e realizon në këtë afat dhe në përputhje me të, duhet të përcaktohen të gjitha afatet burokratike të detyrimit të zbatimit të saj. Nuk mund të ketë përtej një afati të caktuar probleme as me gjykatat dhe me asgjë tjetër, duhet që zbatimi i saj të shpallet e ‘vdekur’. Në këtë aspekt duhet të ndërhyjmë. Të shohim edhe ligjin e Gjykatës Administrative nëse ka indikacione apo në qoftë se ka nevojë për të ndërhyrë në ligjin e të drejtës tregtare, por ne duhet të vendosim këtë standard, që është standardi më pak burokratik, më pak i lodhshëm që ekziston.  Në këtë pikë dalin edhe dy probleme që lidhen me falimentimin. E vërteta është se situata nuk ishte në nivelin që mendohej, por ka një progres në këtë drejtim. E para, lidhet me Agjencinë e Falimentimit që është ngritur. Në rast se kjo agjenci duhet të transferohet në Ministrinë e Financave, kjo duhet të ndodhë. Në rast se ekzistojnë modele, sipas të cilave, kjo agjenci është krejt e pavarur dhe funksionon me një lloj mekanizmi tjetër, edhe kjo mund të vendoset. Kjo agjenci i ka detyrat e përcaktuara në ligj, për zgjedhjen e ekspertëve që do të menaxhojnë sipërmarrjen e falimentuar. Problemi i dytë, të cilin e kemi ngritur edhe një herë më parë dhe duhet t’i japim zgjidhje sa më shpejt, janë borxhet që kompanitë i kanë njëra-tjetrës. Ky problem duhet të marrë zgjidhje ligjore, jo shtetërore. Shteti nuk ndërhyn mbi problemet e marrëdhënieve financiare midis kompanive private, por shteti krijon një mekanizëm, i cili ka besimin dhe detyrën për të notifikuar borxhlinjtë dhe duke informuar bankat që “x” kompani të mos ketë akses në sistemin e kreditimit të vendit. Me këtë, së pari, parandalohen kreditë e këqija, pasi dikush që nuk lan borxhin e parë, duke marrë kredi, shanset për të larë borxhin e dytë që merr i ka shumë më të vogla. Së dyti, duke vendosur këtë agjenci, ne imponojmë një disiplinë financiare më të konsoliduar, më serioze që është e domosdoshme për çdo kompani dhe kalohet direkt në transaksione monetare. Kjo agjenci ekziston në shumë vende dhe në tërësi e kanë jo shtetërore. Edhe vende me sektor të fuqishëm publik, këtë agjenci e mbajnë jo shtetërore. Këtë çështje e kemi ngritur një herë më parë, tani duhet të bëhet realitet, pasi është interesi më i mirë i biznesit.  Modeli për falimentimin (jo për agjencinë) që ne duhet të marrim është Kanadaja, një vend të paktën 10 herë sa Shqipëria dhe që e ka kohën e trajtimit të këtij problemi pothuaj sa një të tretën tonë. Duhet të studiohen të gjitha procedurat dhe t’i shkurtojmë. Zotërinj ministra! Në mbledhjen e fundit të Task Force-s, për të filluar biznesin u la si detyrë: Të eliminohen noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe pagesa e taksave në bashki, paraprakisht, pasi mbrapa do të paguhen. Autoritetet përgjegjëse duhet të sjellin të gjitha ndryshimet ligjore për këto. Afati maksimal kohor është dy javë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se klima e biznesit përbën vetëm një prej komponentëve të rëndësishëm të kompetitivitetit, që është edhe procesi më themelor. Keni marrë porosi të qartë që të analizoni në raport agjencinë dhe institucionin tuaj, në raport me treguesin e kompetitivitetit, me të cilin lidhet direkt veprimtaria juaj, e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, infrastrukturës, telekomunikacionit, financave etj.. Duhet të bëjmë një shqyrtim shumë të hollësishëm se ku qëndrojmë  në të gjithë sektorët, në raport me këtë tregues, që është treguesi i të gjithë treguesve. Indeksi global i kompetitivitetit është sot treguesi më i rëndësishëm që nuk ka lidhje vetëm me ekonominë, por me të gjithë sektorët e zhvillimit të vendit. Kjo ka një rëndësi parësore. Paralel me këtë, Task Force do të shqyrtojë shumë shpejt, një nga një, të gjithë problemet që kanë të bëjnë me kompetitivitetin, si procesi më i rëndësishëm në performancën dhe përshtatjen e vendit në vazhdim me orën globale, që përbën edhe orën e kohës. Çdo mosvlerësim i kësaj kohe dhe kësaj ore të çon mbrapa dhe jo para, çka për Shqipërinë do të ishte me pasoja shumë të rënda. Ndaj secili prej jush duhet të shohë çfarë duhet të bëjë në fushën që i takon dhe më pas do të përcaktojmë se ku janë më të domosdoshme ndërhyrjet dhe ku duhet të jenë më të fuqishme. Ne kemi shumë gjëra pozitive, por edhe shumë gjëra për të përmirësuar, në mënyrë që garantojmë stabilitetin e modelit dhe të qëndrojmë në orbitën e globalizmit, pa humbur kohë.   * Analiza e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›