“Udhëheqja politike e Hungarisë mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”

Kryeministri Sali Berisha njeh anëtarët e qeverisë me vizitën që zhvilloi në Hungari
Kryeministri Berisha njohu dje, anëtarët e qeverisë me vizitën që zhvilloi në Hungari, në datat 19-20 mars. Duke i shprehu mirënjohjen mikpritësve të tij, për pritjen tepër të ngrohtë dhe vullnetin e fortë për intensifikimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, Kryeministri në fjalën e tij, midis të tjerave u shpreh se, “dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Kryeministrit Viktor Orban, Presidentin Pal Schmitt, Kryetarit të Parlamentit László Kövér dhe ministrit të Jashtëm János Martonyi, për mikpritjen jashtëzakonisht miqësore e të ngrohtë gjatë vizitës dy ditore në Hungari, në këtë vend mik, për ndjenjat e tyre thellësisht miqësore që dëshmuan ndaj meje e shqiptarëve”. Sipas Berishës, në të gjitha këto takime spikati vullneti i hekurt për të zhvilluar e konsoliduar më tej një miqësi që daton në kohërat më të hershme, në luftërat e përpjekjet e përbashkëta të dy kombeve, për liri, dinjitet e qytetërimin perëndimor. Miqësi e lidhur me një eveniment madhor në jetën e këtij kombi. 100 vjet më parë, në nëntor të vitit 1912, zyrtarë ndër më të lartët e Perandorisë Austro-Hungareze, Sekretari i Shtetit Hadik dhe ministri i Jashtëm Berchtold do të mbështetnin fuqishëm Ismail Qemalin, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe faktikisht do t’i krijonin të gjitha mundësitë e kushtet që të arrinte sa më parë me këtë lajm e të ngrinte flamurin në Vlorë në më pak se dy javë, siç edhe ndodhi. Më pas, Kryeministri evidentoi ndihmën dhe bashkëpunimin e Hungarisë, ndihmë dhe bashkëpunim, që sipas tij do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Në 20 vjet, Hungaria i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe Shqipërisë në të gjitha proceset: në anëtarësimin në NATO, në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ka qenë një nga vendet kryesore në NATO që me territoret e saj ka lehtësuar edhe veprimet e Aleancës për çlirimin e Kosovës dhe një nga vendet e para që ka njohur Kosovën. Në të gjitha bisedimet, ne ramë dakord të bëjmë gjithçka që marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve politike. Ramë dakord që të bëjmë gjithçka për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e arsimit, të bujqësisë, turizmit, kulturës etj. U firmos gjithashtu edhe marrëveshja për hapjen e katedrës së albanologjisë. Dua t’ju informoj se udhëheqja politike, Kryeministri Orban, Presidenti Schmitt, Kryetari i Parlamentit Kövér, ministri i Jashtëm Martonyi, me vendosmëri të madhe mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë presidencës së BE-së, kryeministri Orban i dërgoi kolegëve të tij, një memorandum për Ballkanin, në të cilin mbështeste fuqishëm perspektivën europiane të secilit prej vendeve ballkanike. Edhe një herë dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë për mikpritjen dhe vullnetin që treguan për një stad të ri në marrëdhëniet midis dy kombeve e vendeve tona. U ra dakord të punohet në të gjitha nivelet. Edhe dy kryeqytetet do të kenë një bashkëpunim intensiv”, përfundoi Berisha.
...