Berisha: 28 milionë për familjet e viktimave në Gërdec
Qeveria shton fondin financiar për të ndihmuar familjet e viktimave të 15 marsit në Gërdec. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një ndryshim në vendimin nr. 277, datë 18.03.2008, për dhënie ndihme financiare familjeve të viktimave, të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit, Bashkia Vorë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 32, të ligjit nr.8756, datë 26.03.2001, "Për emergjencat civile", të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.07.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008", me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi të rrisë fondin për këto familje. Në pikën 2 të vendimit nr.277, datë 18.03.2008, të Këshillit të Ministrave, shifra "20 milionë lekë" zëvendësohet me 28 milionë lekë. Ky vendim është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë dhe hyn në fuqi menjëherë. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të dëmeve, ka nisur rimbursimi financiar i familjeve për dëmet e pësuara. "Ne do t‘i rimbursojmë kryefamiljarët e familjeve të dëmtuara për të gjitha dëmet. Pasi përfundoi vlerësimi, Ministria e Financave ka bërë gati vendimin dhe skemën e disbursimit të shumave për çdo familje, në përputhje me dëmin që ka pësuar", është shprehur Berisha, duke shtuar se banorët e Gërdecit do të dëmshpërblehen në masën 100%.