E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në KESH, në dorë të investitorit

Afrimi i periudhës kur KESH do t‘i shitet një shoqërie të huaj, po shton ankthin e punonjësve të saj, kur dihet se procesi i privatizimit shoqërohet me reforma në administratë e deri te punëtori më i thjeshtë. Duke qenë se numri i punonjësve që pritet të largohen nga puna konsiderohet i lartë (deri në 4000), qeveria i është shmangur kësaj reforme, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi mbi vete se kush do të rrijë apo jo në punë, por ia ka lënë në dorë investitorit. Ky i fundit, pasi të ketë blerë 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes në KESH, ka të drejtë të bëjë reformë te punonjësit, në kuadër të ristrukturimit, të domosdoshme për menaxhimin sa më efikas të korporatës. Për t‘ia bërë punën më të thjeshtë, qeveria do t‘i garantojë investitorit se shpenzimet për trajtimin me asistencë të punonjësve të larguar do të përballohen nga të ardhurat që do krijohen nga shitja e aksioneve. Kjo është vetëm një pjesë e diskutimit të zhvilluar dje në Tiranë, mes donatorëve dhe blerësve të mundshëm të OSSH-së, të organizuar nga IFC dhe USAID. Në tryezën e rrumbullakët merrnin pjesë ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, kreu i KESH, Gjergj Bojaxhi, si dhe kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta.

Reforma

Përfaqësuesit e kompanive kryesore të energjisë në Evropën Perëndimore, si ENEL, EVN, E.ON, EnBW, "Siemens", CEZ, "RWE Power", "Union Fenosa", AES, dhe "E-Steimark", janë njohur dje me modelin e tregut shqiptar të energjisë elektrike, me formulën e privatizimit të OSSH-së, si dhe me një pjesë të kushteve që lidhen me kontratën e shitjes, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja nga afër me avantazhet që sjell privatizimi i OSSH-së, por edhe mbi risqet që mbart korporata, konkretisht me borxhet qindra milionëshe ndaj donatorëve. Këta të fundit i kanë garantuar palës shqiptare mbështetje ndaj këtij procesi, duke luajtur rolin e avokatit që privatizimi të dalë sa më i suksesshëm. Diskutimet mes palëve prekën dhe çështjen e reformës që rrjedh nga privativi i KESH. Ministri Ruli u ka garantuar atyre se trajtimi i punonjësve që preken nga reforma do të mbulohen nga pala shqiptare, ndërsa në drejtim të kësaj reforme do të vendoset vetë investitori, në bazë të interesave të tij për një menaxhim sa më optimal të OSSH-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›