E Diel, 1 Nëntor 2026

Pinari mbetet në burg. Avokati: S‘është ushtarak, akuza e paligjshme

Nuk ka arritur t‘u shpëtojë hekurave të qelisë ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore, MEICO, Ylli Pinari, një nga tre të arrestuarit si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën më shumë se 27 persona. Ai ka apeluar masën e sigurisë burg pa afat që ju caktua nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet rreth 2 javë më parë, por nuk ka mundur të përfitojë një masë më të butë, me gjithë pretendimet e ngritura nga avokati i tij, i cili e quajti të padrejtë akuzën.

Gjykata e Apelit në kryeqytet ka marrë dje në shqyrtim kërkesën e bërë nga Ylli Pinari për revokimin e masës së sigurisë. Vetë i pandehuri nuk është paraqitur në seancë, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Arben Prifti. Mbrojtësi ligjor ka deklaruar se Pinari ka qenë një punonjës civil i administratës dhe për këtë arsye akuza e ngritur ndaj tij është e pakuptimtë dhe e padrejtë. Deri tani Pinari, ashtu si edhe dy të arrestuarit e tjerë, Delijorgji dhe Minxolli, është akuzuar nga prokurori për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Por fakti që ai ka qenë një punonjës civil, sipas avokatit mbrojtës, e shkarkon nga kjo akuzë, e cila është më shumë për ushtarakët që kanë punë me këto lloj lëndësh. "Pinari vërtet ka qenë drejtues i MEICO-s, por ai ka qenë një agjent shitjesh dhe jo drejtues i fabrikës", mësohet të ketë thënë avokati mbrojtës, për sa i përket rolit të klientit të tij në punishten e demontimit të armëve në Gërdec.

Por mbrojtja ka risjellë si argumente në mbrojtje të kërkesës për evokimin e masës së sigurisë edhe faktin se në momentin e shpërthimit në Gërdec Pinari ka qenë më shërbim jashtë shtetit. "Ai nuk është thirrur nga askush për t‘u marrë në pyetje, por ka ndier detyrimin për t‘u kthyer dhe për t‘u paraqitur përpara prokurorisë", ka thënë avokati. Në këtë pikë të fjalës së mbrojtjes, duket se është zbuluar edhe një detaj tjetër lidhur me mënyrën dhe vendin e arrestimit të ish-drejtorit të MEICO-s. Sipas avokatit, pas seancës së marrjes në pyetje të Pinarit, prokuroria ka vendosur masën e ndalimit të tij dhe duket se kjo është bërë në ambientet e prokurorisë. Mbrojtja nuk ka harruar të përmendë edhe parrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit, si një argument në favor të lirisë së tij, dhe po ashtu faktin që ai nuk ka qenë asnjëherë më parë i dënuar për ndonjë vepër penale.

Në përfundim të fjalës së mbrojtjes, gjykata ka dëgjuar edhe argumentet e prokurorisë, të cilat kanë qenë të njëjta me ato që janë përdorur gjatë seancës në Gjykatën e Shkallës së Parë. Këto argumente lidheshin me përmasat tragjike të ngjarjes së Gërdecit dhe përgjegjësinë që ka pasur Pinari si drejtues i MEICO-s në kontrollin e kushteve të sigurisë në fabrikën e Delijorgjit. Gjithashtu, prokuroria ka kujtuar se Pinari është zotërues i një "Green Card" amerikane, çka mund të bënte që ai të largohej nga vendi. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin, i cili u dha pas pak kohe. Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit, duke e lënë në burg pa afat Ylli Pinarin. Pas dy ditësh në të njëjtën gjykatë do të vijnë edhe dy të arrestuarit e tjerë për ngjarjen e Gërdecit, administratori i firmës "Albdemil", Mihal Delijorgji dhe drejtori i fabrikës së demontimit, Dritan Minxolli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›