Rihapet dosja e vrasjes së biznesmenit Florian Vila
Departamenti i Hetimit të Krimeve ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje dosjen e vrasjes së Florian Vilës, ngjarje e cila ka mbetur enigmë që nga viti 2003. Pikërisht, sektori kundër vrasjeve, që është krijuar në këtë departament, ka ngritur një grup pune për të hetuar mbi vrasjen e biznesmenit të hekurit, pavarësisht se herë pas here janë ngritur dyshime mbi persona të caktuar. Sipas të dhënave të besueshme nga burime të rezervuara, mësohet se grupi i punës ka gjetur prova dhe fakte të reja mbi vrasjen e biznesmenit të hekurit, Florian Vila, ndërkohë që mësohet se grupi hetimor ka mundur të zbërthejë disa hallka të këtij krimi. Burimet hetimore thanë për "Shqip" se një vrasje e tillë është tejet e vështirë për t‘u dokumentuar plotësisht, pasi ka kaluar në disa hallka, për të cilat ende po punohet që të dokumentohet lidhja e tyre mes njëra-tjetrës, për të arritur tek autori apo autorët konkretë të kësaj ngjarjeje. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, dosja e Florian Vilës është rikthyer prej kohësh në polici dhe është hetuar vazhdimisht, pavarësisht se ende nuk është arritur ndonjë konkluzion përfundimtar. Megjithatë, grupi hetimor ka bërë me dije se tashmë kjo dosje mund të zbardhet brenda një kohe të shkurtër. Pas disa muajsh, përfaqësuesit e hetimit kanë arritur të grumbullojnë prova të forta dhe mendohet se dyshimet kanë shkuar aq pranë sa nuk kishin mbërritur asnjëherë. Vrasja e biznesmenit Vila daton më 9 prill të vitit 2003. 38-vjeçari Vila në atë kohë ishte në kulmin e biznesit të tij dhe ndërsa një natë po kthehej në shtëpi, ekzekutohet me një breshëri plumbash. Kjo vrasje alarmoi policinë e kryeqytetit, e cila për pak ditë realizoi një sërë operacionesh, por pa rezultat. Ndërkaq, familjarët e viktimës, në dëshmitë e tyre kërkonin vetëm që ngjarja të zbardhej sa më parë, duke mos pasur asnjë emër apo dyshim konkret. Ora shënonte 21:20 natën e 9 prillit, kur biznesmeni i hekurit, Florian Vila, po kthehej në kompleksin e tij rezidencial "Flevi", në Laprakë, pranë zonës ku ndahet Rruga e Durrësit me segmentin që shkon në drejtim të Kamzës. Aty, si gjithmonë, e priste bashkëshortja me dy fëmijët. Autorët ishin dy persona që e qëlluan njëkohësisht me armë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vila ishte një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend për eksportin e skrapit dhe importin e hekurit. Madje, pas vrasjes së biznesmenit Vila, biznesmeni i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji dhe firma e tij, u bënë importuesit më të mëdhenj të hekurit për ndërtim në vend, duke kontrolluar pothuajse të gjithë tregun. Ai u fut në tendera të ndryshëm dhe humbi atë të anijeve për skrap, në Portin Detar të Durrësit, si dhe tenderin e skrapit hekurudhor.