Sanksione ndaj shoqërive që prishin kontratën me KESH
Qeveria ka vendosur dje të miratojë disa ndryshime në ligjin "Për prokurimin publik", me synim rregullimin e disa pikave në kontrata që KESH lidh me importuesit e energjisë elektrike. Kështu, në rastet e procedurave të prokurimit për blerjen e energjisë elektrike, ofertuesit duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, në vlerën 2 për qind të ofertës së paraqitur në këto procedura prokurimi. Më parë ata duhet të paraqisnin 2 për qind të fondit limit, duke u krijuar pengesa për zhvillimin e një procesi sa më normal. Por ajo që lidhet me ndëshkimin e shoqërive që prishin kontratën, ka të bëjë me garancinë që tashmë ata duhet t‘i japin KESH-it, në mënyrë që të garantohet sasia e kërkuar e energjisë elektrike. Kështu, në procedurat e prokurimit për blerjen e energjisë elektrike, në rast se subjekti fitues nuk lëvron plotësisht ose pjesërisht sasinë e kontraktuar, autoriteti kontraktor (rasti konkret, KESH)konfiskon nga vlera e sigurimit të kontratës vlerën për sasinë e energjisë elektrike të palëvruar, e cila llogaritet si diferencë e çmimit më të lartë, për të cilin autoriteti kontraktor ka ose do të ketë mundësi ta blejë energjinë elektrike të palëvruar. Vlerës së mësipërme duhet t‘i nënshtrohen edhe kostot e mundshme për sigurimin e rrugëve të transmetimit, si dhe kostot e tjera përkatëse, të dokumentuara. Në këtë rast, kur vlera e sigurimit të kontratës është më e vogël se vlera që autoriteti kontraktor duhet të konfiskojë, diferenca mbahet nga vlera e pagesës që autoriteti kontraktor do t‘i paguajë kontraktuesit për sasinë e energjisë elektrike të lëvruar. Pra, atë sasi të energjisë elektrike që importuesi duhet t‘ia jepte KESH-it, sipas kontratës, kjo e fundit duhet ta sigurojë vetë në treg të lirë. Por nëse çmimi në treg është më i lartë nga ai që kishte vendosur KESH në kontratën e firmosur më parë me importuesit, diferenca nga këto dy çmime do të paguhet nga subjekti. Më parë subjektet që prishnin kontratën me KESH penalizoheshin vetëm me 10 për qind të vlerës së saj, gjë që nuk i siguronte korporatës shumën e duhur për blerjen e energjisë elektrike të munguar. Ndryshime në ligj ka pasur edhe për afatet e publikimit të tenderit.