E Diel, 1 Nëntor 2026

Luftë ndaj monopoleve, marrëveshje shtet-biznes

Autoriteti i Konkurrencës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e konkurrencës në treg. Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos midis kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Lindita Milo (Lati) dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë - Tiranë, Prof. Gjokë Uldedaj. Sipas marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë për dhënien e informacionit lidhur me rastet e kufizimit, ndërhyrjes dhe deformimit të konkurrencës në treg. "Dhoma ndërmerr çdo veprimtari që i shërben nxitjes dhe mbrojtjes së aktivitetit ekonomik të anëtarëve të saj, si dhe informon autoritetet përkatëse shtetërore për çështje të ndryshme, me qëllim parandalimin e konkurrencës së pandershme, si dhe angazhohet të japë zyrtarisht të dhëna dhe informacione, me masën që lejojnë dhe detyrojnë ligjet, duke respektuar në çdo rast karakterin konfidencial", u shpreh Uldedaj. Ndërsa kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës tha se, "komuniteti i biznesit është i interesuar për një funksionim sa më normal të tregut dhe të mekanizmave të tij që sjellin e produktivitetit të përdorimit të burimeve dhe që në fund të ditës sjell rritjen e përgjithshme të mirëqenies së konsumatorëve. Në këtë këndvështrim, komuniteti juaj është një nga aleatët kryesorë të Autoritetit të Konkurrencës. Por në vetvete, zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe politikës së konkurrencës shtron si domosdoshmëri krijimin e një ambienti të favorshëm për zhvillimin e aktivitetit të ndërmarrjeve publike dhe private dhe njohjen e zbatimin e rregullave të qarta të lojës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›