E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Abuzuesit me tokën janë pushtetarë

Titujt e pronësisë të fituar me anë të ligjit të famshëm 7501 për tokat nuk do të preken edhe pse së shpejti qeveria do të realizojë një fushatë verifikimi për titujt e pronësisë. Këtë garanci e ka dhënë dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, ndërkohë që njoftoi se nuk do të ketë tolerime për ata që kanë abuzuar me këtë ligj dhe kanë përfituar në mënyrë të padrejtë tokë. Ai ka bërë të qartë se ky ligj nuk synon të shkojë tek fermeri i thjeshtë, por të abuzuesit e mëdhenj me tokat, që sipas tij, janë pushtetarë. Në këtë kuadër ai ka paralajmëruar nxjerrjen para ligjit të çdo pushtetari që ka vjedhur tokat. Berisha ka sqaruar se ligji i ri i sapomiratuar për verifikimin e titujve të pronësisë duhet të trembë vetëm ata që kanë grabitur tokë dhe jo fermerët që kanë përfituar në bazë të ndarjes së bërë në fillim të viteve ‘90 me anë të 7501-shit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ndërsa bëri të ditur ngritjen e komisionit qeveritar për verifikimin e titujve të pronësisë, kreu i qeverisë tha se “dua të garantoj të gjithë fermerët dhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë tokë në përputhje me ligjin 7501, në përputhje me kriteret dhe në zbatim të këtij ligji, se ky proces nuk u cenon atyre asnjë centimetër tokë”. Ai ka shtuar se “çdo përpjekje për t’i trembur dhe frikësuar është thjesht përpjekje që mafia grabitqare e tokës bën kundër këtij ligji”.

Abuzuesit

Duke e cilësuar një ligj të anti-abuzimit, ai ka bërë të qartë se informacionet që vijnë për abuzimet me tokën kanë të bëjnë me pushtetarë. Ai i ka ndarë në dy grupime abuzuesit, pushtetarët e nivelit qendror dhe vendor dhe titullarët e bashkive e komunave që kanë bërë ndarje të tokës në mënyrë korruptive. “Ata që kanë grabitur tokën, në radhë të parë, janë pushtetarë dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë se në këtë shqyrtim nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tendencë politike, të cilësdo ngjyrë apo grupim”. Në këtë kuadër, Kryeministri ka paralajmëruar këta pushtetarë se do të përballen me ligjin. “Cilido pushtetar vendor apo qendror, që e ka përvetësuar tokën në kundërshtim me ligjin, do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi të”. Më tej, Berisha shtoi se “grupi i dytë i abuzuesve të mëdhenj janë kryetarë bashkish dhe kryesisht komunash, që me pusulla dhe kundrejt korrupsionit, në kundërshtim me ligjin 7501, kanë ndarë dhe u kanë dhënë të tjerëve, qoftë edhe vjet, sasi të mëdha toke pa asnjë bazë ligjore dhe jetim mbeten pronarët”. Duke iu rikthyer dhe një herë akuzave të opozitës se do të rishihen të gjithë titujt, ai tha se “askush të mos përpiqet të dezinformojë 400 mijë familjet shqiptare që kanë marrë tokë në përputhje me kriteret e ligjit 7501. Ligji që kemi kaluar u sanksionon atyre, në mënyrë përfundimtare, titullin e pronësisë dhe nuk i mban ata pezull, për shkak të grupeve grabitqare të tokës, por i pajis me shpejtësi dhe përfundimisht me titullin e pronësisë”.

Abuzuesit, 3 muaj afat për të dorëzuar tokën

Me gjithë paralajmërimet për penalizime për vjedhësit e tokës, qeveria ka menduar të jetë tolerante me ta nëse dorëzohen vetë. Ata që kanë përfituar në mënyrë të pandershme tokë kanë 3 muaj afat për ta dorëzuar vetë këtë tokë, duke u shpëtuar penalizimeve ligjore. Kryeministri Berisha u bëri thirrje gjithë atyre që e kanë marrë tokën në mënyrë të pamerituar që ta dorëzojnë. “Le të përcaktojnë një periudhë, të cilën ne t’ua njohim - dy muaj ose tre muaj - dhe ta dorëzojnë vetë tokën. Në të kundërt, duhet të veprojnë fuqishëm të gjitha prerogativat penale, si ndaj atyre që e kanë dhënë padrejtësisht, ashtu dhe ndaj atij që e ka marrë abuzivisht tokën”, - tha kreu i qeverisë. Ai shtoi se “ne nuk kemi synim ndëshkimin, por rivendosjen e së drejtës. Për këtë të caktojmë një periudhë, në të cilën çdo posedues i pamerituar e dorëzon në komision tokën e përfituar pa të drejtë”. Sipas tij, do të jetë një zgjidhje më e mirë sesa të fillohet me prerogativat ligjore, nga më seriozet, për të rivendosur këtë ligj.

Mbështetja e PR-së

Në përpjekjet e saj për të verifikuar vjedhjet e tokës, duke abuzuar me ligjin 7501, qeveria ka dhe mbështetjen e aleates republikane. Këtë e bëri të ditur dhe kreu i qeverisë, Berisha, dje në mbledhje duke u shprehur se “Partia Demokratike dhe koalicioni i partive të mazhorancës nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të ndryshojë ligjin 7501. Partia Republikane, partia jonë aleate, e hershme dhe tradicionale, ka pranuar gjithnjë këtë qëndrim të aleatëve të saj. Ndaj është jashtë çdo lloj spekulimi që, me këtë ligj, ne synojmë të prekim qoftë edhe një pëllëmbë tokë, të marrë në mënyrë korrekte nga ligji 7501”. Por, ndërkaq ai ka bërë të qartë se nuk mund të mbyllen sytë para abuzimit të bërë me ligjin, abuzim që sipas tij arrin në miliarda dollarë. “Me dhjetëra mijëra hektarë janë përvetësuar në mënyrë të pandershme dhe në kundërshtim me ligjin”, - tha Berisha.

Ngrihet komisioni qeveritar për verifikimin e titujve të pronësisë

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e radhës ngritjen e një komisioni të posaçëm për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili do të kryesohet nga zëvendëskryeministri, Genc Pollo. Kryeministri kërkoi nga zëvendëskryeministri Pollo dhe ministri i Bujqësisë, Gjana, që të hartojnë programin e punës "për t'i dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme këtij problemi të rëndësishëm, pa zgjidhjen e të cilit nuk ka zgjidhje të problemit të pronësisë. Kjo përbën dhe një kusht themelor për të gjitha zhvillimet e ardhshme".

Qeveria, 500 mijë USD për zyrën e PNUD-it

Zyra e PNUD-it në Tiranë (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara) ka përfituar një fond shtesë prej 511.422 dollarësh nga qeveria shqiptare, në zbatim të Marrëveshjes së Planit të Veprimeve të Programit Kombëtar 2006–2010, nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe PNUD, më 11 prill 2006. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit bëri të ditur se fondi shtesë u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Miratohen listat paraprake të pronave shtetërore në varësi të komunave

Qeveria miratoi të mërkurën listat paraprake të pronave të paluajtshme shtetërore që transferohen në pronësi të komunave të Voskopojës dhe Pojanit (Korçë), Perondisë (Berat) dhe Rashbullit(Durrës). Në mbështetje të ligjit "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", Këshilli i Ministrave vendosi për listat paraprake të pronave të paluajtshme shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim, të komunës Voskopojë, të qarkut të Korçës; të komunës Perondi, të qarkut të Beratit; të Komunës Rashbull, të qarkut të Durrësit, komunës Pojan dhe të qarkut të Korçës. Këto lista përmbajnë të gjitha pronat e paluajtshme publike, shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të komunave në fjalë, që transferohen në pronësi ose në përdorim të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›