E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis lundrimin superanija shqiptare ushtarake “Iliria”

Kompania holandeze ka përfunduar prodhimin e parë të superanijes shqiptare “Iliria”, e para e këtij lloji në Shqipëri, e cila do të mbërrijë pas dy javësh lundrimi nga Holanda. Drejtues të kompanisë holandeze “Damen Shipyards Group”, i kanë dorëzuar një delegacioni zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes anijen e parë të prodhuar prej saj, në Gorinchem të Holandës. Në bazë të një marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare dhe kompanisë “Damen Shipyards Group”, Rojës sonë Bregdetare do t’i bashkohen më pas edhe tri anije të tjera. Ditën e sotme, “Iliria” do të nisë lundrimin nga Merwede drejt Shqipërisë. Në drekën zyrtare të përgatitur me këtë rast, Frank de Lange, drejtues i “Damen”-it për Evropën, së pari ka falënderuar ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, për mbështetjen në përmbylljen me sukses të fazës së parë të këtij projekti të rëndësishëm dypalësh. “Fryt i një pune të gjatë e të palodhur, më në fund kemi arritur me sukses që të dorëzojmë në duart tuaja anijen “Iliria”, anije e cila do të patrullojë brigjet detare shqiptare, sipas të gjitha standardeve të anijeve të tilla bashkëkohore kudo në botë”, - tha De Lange. Në emër të presidentit të saj, ai ka premtuar vazhdimësinë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë, deri në përmbushjen e plotë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy institucioneve. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z.Adriatik Mema, ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë holandeze për pritjen e organizuar. Më pas ai i ka përcjellë drejtuesve të saj përshëndetjet dhe falënderimet e ministrit të Mbrojtjes z.Gazmend Oketa, drejtuar kompanisë “Damen” për bashkëpunimin e deritanishëm; falënderimet për qeverinë e Mbretërisë së Holandës për kontributin financiar të dhënë nëpërmjet ORET-it si dhe ambasadën e Holandës në Tiranë për mbështetjen dhe lehtësitë e krijuara në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për FA-në. “Damen Shipyards Group”, me qendër në Gorinchem të Holandës, është një kompani prodhuese anijesh, që e ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 1927, si një biznes familjar i familjes Damen. Aktualisht sot, Damen ka 30 filiale të saj në gjithë botën. Filiali më i fundit është duke u ndërtuar në “Pasha Liman”, gjë që do t’i japë mundësi vazhdimësisë së kontratës, që tri anijet e tjera për Brigadën tonë Detare të prodhohen në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›