Mediu: Jo shkrirje me PD-në, por konfederatë
Republikanët po i mëshojnë gjithnjë e më fort idesë së unifikimit të së djathtës në një organizëm më vete. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mblodhi ditën e djeshme në zyrën e tij krerët republikanë në rrethe, nga ku analizoi situatën brenda PR-së, por edhe brenda së djathtës. Në këtë analizë, Mediu tha së ideja e unifikimit të së djathtës ka si autor vetë republikanët. Sipas Mediut, një e djathtë e bashkuar është e vetmja zgjidhje në rast se do të kërkohet të triumfohet përsëri në vitin 2009. Ai shtoi më tej se PR-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, që sipas tyre, sistemi i ri favorizon koalicionet. “PR-ja ka qenë dhe mbetet e idesë që e djathta duhet të funksionojë e unifikuar dhe besoj se nuk do të heqim dorë dhe do të qëndrojmë të tillë në bindjen tonë që një e djathtë e unifikuar është natyrisht shumë herë më e angazhuar për të realizuar programin e saj”, - tha Mediu. Në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mediu la të hapur skenën e debatit. “Diskutimet janë ndër më të shumtat, por ajo që përcakton përfundimisht pozicionin tonë politik-elektoral, lidhet drejtpërdrejt me Kodin Zgjedhor, i cili shpresojmë të mbarojë në muajin shtator”, - shtoi ai.
E djathta
Gjatë mbledhjes me kryetarët e rretheve, kryetari republikan bëri të ditur mendimin e PR-së në lidhje me mënyrën e unifikimit të së djathtës. Pavarësisht se e djathta sot ndodhet në pushtet, njëkohësisht edhe përçarjet brenda saj kanë qenë evidente, Mediu shtron idenë e unifikimit, si kusht të panegociueshëm. Ai u shpreh se nga ana e PR-së do të kërkohet një e djathtë unike, por që brenda saj të ruhen identitetet aktuale.
“Dua të kujtoj se ka qenë PR-ja në kongresin e saj, e cila ka hedhur idenë e një bashkimi të së djathtës në një organizim me standarde, jo vetëm për qëllime elektorale, por mbetet për të parë konkretisht se si do të jetë organizimi i përbashkët i së djathtës, ku duhet të ruhen identitetet politike. Mendoj se këto identitete politike ndihmojnë për një bashkëpunim më të mirë dhe të drejtpërdrejtë, ashtu siç ndihmojnë për të vlerësuar gjykimin politik të subjekteve politike të së djathtës”, - tha më tej Mediu. Në analizën e republikanëve u diskutua edhe situatën brenda PR-së. Në takimin me dyer të mbyllura, Mediu u tha kryetarëve të rretheve dhe bashkëpunëtorëve të tij se Partia Republikane po e rimerr veten. Ai e vlerësoi faktin që Kryeministri Berisha u dha një dikaster të rëndësishëm për të drejtuar, atë të Shëndetësisë. Mediu nga ana tjetër, u ka kërkuar kryetarëve vendorë që të nisin punën në bazë. Ai kërkoi afrimin e anëtarëve të rinj në parti dhe rritjen e rolit të strukturave në rrethe. Kryetari republikan u kërkoi të zgjedhurve të vet në krye të partisë në rrethe që praktikisht të nisin fushatën elektorale, duke bërë takime, duke anëtarësuar njerëz të rinj, si dhe u është kërkuar zyrtarëve vendorë, pjesë të PR-së, që të rrisin punën e tyre.