NATO, takim informal në Budapest dhe Londër, ftohet edhe Oketa
Situata e re e krijuar në Gjeorgji, por edhe e ardhmja e NATO-s, do të mbledhë në datat 9 dhe 10 tetor në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, 27 ministrat e Mbrojtjes të organizatës. Në këtë takim informal do të marrin pjesë edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, si dhe homologu i tij kroat. Njëkohësisht, do të mbahet një takim informal edhe në Londër, në datat 18 dhe 19 shtator, ku ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë për të ardhmen e Aleancës. Mediat hungareze kanë bërë të ditur se ky takim i zgjeruar i ministrave të Mbrojtjes do të ketë në epiqendër problemet më kryesore. Takimi do të jetë informal, ose siç e raportojnë mediat hungareze, media nuk do të ndjekë punimet e tryezës, por do të ketë vetëm një konferencë për shtyp. Diskutimet e këtij takimi do të jenë të mbyllura. Sipas medieve hungareze, ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë rolin e Aleancës në Afganistan, si dhe në Ballkan. Konferenca do të mbahet në hotelin “Marriott” në Budapest, nga ku do të jepen edhe përfundimet e takimit mes ministrave. Sipas traditës, ministrat e Mbrojtjes së NATO-s mblidhen tri herë në vit, një herë në Bruksel, në selinë e NATO-s dhe dy herët e tjera në një nga kryeqytetet e vendeve anëtare të NATO-s. Ajo që ka rënë në sy të medieve hungareze, janë shpenzimet e këtij takimi dyditor, pasi Parlamenti hungarez kishte aprovuar një shumë prej 440 milionësh Ft hungareze ose afërsisht 1.5 milionë dollarë.