Berisha: Aeroporti i ri, një pasaportë më e shkëlqyer për vendin

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot Aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas si një ndër pasaportat më të shkëlqyera të Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të zgjerimit të terminalit të këtij aeroporti, Kryeministri Sali Berisha, duke vlerësuar ritmet e kryerjes së punimeve të ndërmarra nga ana e koncensionarit "Tirana International Airport", theksoi se "punimet për zgjerimin e terminalit u kryen në një kohë rekord dhe këto janë ritmet për të cilat ka nevojë Shqipëria, janë vetëm këto ritme ato që mund të bëjnë të mundur të ndërtojë të ardhmen". Kryeministri Berisha tha se ne filluam ndërtimin e zgjerimit të terminalit në në kohë krize të madhe evropiane dhe botërore. "Inaugurimi i punimeve po kryhet pasi aeroporti ka shënuar, në dallim nga të gjitha aeroportet e Evropës, një rritje prej 10 % të pasagjerëeve, kur aeroportet në këto vende kanë patur një rënie prej 4 %". Duke u ndalur në investimet e huaja në vend, Kryeministri informoi se Banka e Shqipërisë ka njoftuar se investimet e huaja në Shqipëri në 6-mujorin e parë të këtij viti u rritën me 59 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Në të njëjtën kohë Kreu i Qeverisë garantoi koncensionarin "TIA" se qeveria shqiptare do të jetë një partner që vlerëson kontributin e dhënë në zhvillimin e këtij vendi. "Faza e dytë e zgjerimit të terminalit të Rinasit është dëshmi e ritmeve të ndryshimit të Shqipërisë", vlerësoi Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se "kam vizituar të gjithë vendin për të bindur qytetarët se Shqipëria po ndryshon dhe nuk ka dëshmi më të shkëlqyer se kjo se Shqipëria po ndryshon". Berisha vlerësoi shërbimet dhe sigurinë e ofruar në Aeroportin e Rinasit, ndërsa u shpreh se "arkitektura përshtatet plotësisht me peizazhet që e rrethojnë".
...