U përurua sot terminali i ri në aeroportin "Nënë Terza"
Terminali i ri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas, i cili u përurua sot, shënoi përfundimin e investimit për fazën B të zgjerimit dhe modernizimit të këtij aeroporti. Investimi gjatë kësaj faze nga ana e konçensionarit Tirana International Airoport shkon në rreth 20 milionë euro, duke arritur në total 70 milion euro, dhe falë tij, tashmë mund t’u shërbehet me një cilësi më të lartë me shumë se 1 milion e gjysëm pasagjerësh në vit, ndërsa pothuaj janë dyfishuar sportelet e pritjes dhe të trajtimit të bagazheve. Pas këtij investimi, do të jenë 14 sportele të reja pritjeje, banke dhe agjenci këmbimi valutor. Ndërsa në pjesën mbrapa, pas kontrollit të dokumentave, do të jenë 3 porta të reja për daljen e pasagjerëve në pistë, bar të ri dhe një hapësirë të madhe dyqanesh. Volumi i objektit është afërsisht 40 000 m³. Këtu përfshihet dhe një sallë biznesi, e cila nga 130 m² do të arrijë në 300 m² . Ky terminal mund t’u shërbejë të paktën 1 milionë e gjysëm pasagjerëve në vit, ndërsa vitin e kaluar u regjistruan 1,3 milionë pasagjerë. Sipërfaqja e zgjeruar në terminalin e pasagjerëve shkon në rreth 4 800 metra katrorë, 890 prej të cilave i takojnë pajisjeve për transportin e bagazheve. Ndërkaq, është mëse 2-fishuar edhe hapësira e sallës biznes. Burimet shtuan se pasagjerëve do t’u ofrohen shërbime më cilësore. Struktura me një kat dhe kanale shërbimi nëntokësore, të pajisura me sistem kondicionimi dhe ngrohjeje, do të ofrojnë shërbime më cilësore për pasagjerët me të gjitha lehtësirat e duhura. Punimet të cilat përfaqësojnë fazën B të modernizimit të aeroportit i shtojnë 40 për qind sipërfaqes së tij ekzistuese, dhe në këtë mënyrë do të shtojnë kapacitetin operativ të aeroportit. Faza e parë e ndërtimit të terminalit për pasagjerët filloi në maj 2005 dhe kushtoi rreth 50 milion euro. Ajo përfundoi në pranverën e 2007, duke mundësuar një kapacitet prej 1 milion pasgjerësh në vit, ndërkohë që me zgjerimin e ri kjo shifër rritet edhe me 500 mijë pasagjerë. Edhe gjatë fazës B të modernizimit, të gjitha projektet janë zbatuar nga kontraktori shqiptar: Trema Engineering 2 SHPK në përputhje me standardet ndërkombëtare (Britanike). Kompania ndërtuese gjermane DIWI Consult International ka kontrolluar projektet dhe mbikëqyri ndërtimet. Fluturimi i parë nisi më 21 mars 2007 nga Terminali i ri në Aeroportin "Nënë Tereza", i ndërtuar nga "Tirana International Aeroport" (TIA). TIA e ka marrë me koncension të tipit BOOT Aeroportin "Nënë Tereza" në prill 2005, duke u bërë kështu përgjegjëse ligjore e aeroportit, që ka detyrime për të planifikuar, financuar dhe modernizuar atë deri në vitin 2024, kohë kur i mbaron kontrata koncensionare me qeverinë shqiptare. Aeroporti "Nënë Tereza" u ndërtua në vitin 1957. Numri i fluturimeve në atë kohë ishte i ulët dhe linjat e vetme ajrore ishin "Aerflot", "JAT" "Malev", "Tarom", "Interflug". Pas vitit 1960, fluturimet u kufizuan akoma më shumë, ndonëse në vitin 1974 u bënë disa punime për përmirësimin e kushteve në këtë aeroport. Pas vitit 1992, kohë kur nisën transformimet politike në Shqipëri, u rrit ndjeshëm si numri i udhëtarëve, ashtu dhe e linjave të fluturimit. Nisur nga rritja e kërkesës për udhëtime përmes linjave ajrore, në vitin 2005 Këshilli i Ministrave zhvilloi tenderin për ndërtimin e terminalit të ri, ku fituese u shpall "Tirana International Airport" .
...