Me bojkotin, opozita po mohon veten
Historia ka treguar se shumë forca politike në demokraci kanë fituar vlera sidomos me qëndrimet e tyre konstruktive në opozítë. Virtyti admirohet sidomos pse në çdo rrethanë ai i bën vend vetes. Nuk është turp të humbësh një garë. Turp është të deklarosh se ke fituar, kur ke humbur. Të gjitha partitë politike “luftojnë” me bindjen se alternativa e tyre e bën më të mirë jetën e qytetarit. Kur nuk fiton alternativa më e mirë, i humbur del sovrani. Partia që humbet, me qëndrimet e saj duhet të ngushëllojë elektoratin e dëshpëruar. Kurse ankesat e PS-së duken si ato të tellallit, që qahej më fort se i zoti i mallit. Kjo qaramane duhet të ketë më shumë besim në gjykimin, që i bën vetë sovrani shkaqeve të humbjes. Nuk i takon PS-së të shtiret para elektoratit sikur vetëm ajo është viktima e manipulimit. Nuk e mbulon dot ajo përgjegjësinë duke klithur për, gjoja, mbrojtjen e votës së lirë. Nuk duhet t’i shëmbëllejë ajo rojes, që i ankohej vetes pse nuk e kishte ruajtur mirë dyqanin. Për të tilla ankesa populli thotë: “Në vend të qahen qetë, qahet qerrja”. Vaj halli ç’duhet të bëjnë ata, që s’kishin komisionerë! Bojkoti i parlamentit nuk i shërben imazhit të PS-së. Edhe sikur vërtet të jenë bërë gabime, zbardhja e tyre nuk duhet të pengojë punën për realizimin e reformave. Nuk vihen vetulla duke nxjerrë sytë. Vetëm një arrogancë e marrosur djeg jorganin për një plesht. Kështu si po vepron opozita, del më i madh bishti se sqepari. Jo më kot një i ditur ka thënë se më e rëndë nga “fatkeqësia” është ekzagjerimi i saj. Nëse “kupola” e PS nuk ka synime të tjera ndaj vetë partisë, nuk i falet t’ia ulë kësaj serozitetin me bojkot. Nuk e braktis ushtari i devotshëm llogoren, as toreadori arenën, ku zhvillohet beteja për një fitore të denjë. Sa më e matur, mirëkuptuese dhe konstruktive të shfaqej PS-ja në kërkesat ndaj të ashtuquaturit manipilim, aq më të pakënaqur do ta bënte elektoratin e saj ndaj “manipulatorëve”. Populli e zë lepurin me qerre. Ai ka bindjen se hanxhiu me qiraxhínë takohen. Ai e zbulon fajtorin më shpejt se komisionet parlamentare. Kur elektorati krenohet me standardet që arriti, socialistët nuk i njohin zgjedhjet fare. Ka liderë të PS-së, që nuk e kanë kuptuar mesazhin që dha rezultati i këtyre zgjedhjeve. Prandaj i bien fyellit me një vrimë duke u ankuar se, gjoja, u janë vjedhur votat. Duke u tallur me misionin e saj në Kuvend, opozita po vë në dyshim qëllimin e ankimimit të saj. Kurse me bojkotin po injoron veten. Ajo ka aq shumë mundësi të ngrihet në lartësinë e një force konstruktive, sa, ndoshta, dhe vetë fitorja e zgjedhjeve nuk do t’ia jepte këtë shans. PS-ja duket nuk i njeh ligjet e vlerave që fiton njeriu, a partía, kur përballon fisnikërisht një humbje. Duket ajo nuk njeh as vlerën e tolerancës, si majën e trimërisë për të zbardhur të vërtetën. Ndoshta prandaj po bën të kundërtën. Me bojkotin dhe kushtet e tij absurde ajo vërteton se ka mbetur arrogante në shpirt dhe puniste në taktikat për të kërkuar të vërtetën me presione e shantazhe.
Askush nuk e pengon opozitën të ngrejë zërin në Kuvend për çdo të drejtë. Madje, vetë mazhoranca i është zotuar (dhe e ka mbajtur fjalën!) se do ta respektojë si një domosdoshmëri për realizimin normal të një jete pluraliste parlamentare. Durimi i të djathtës shpesh i ka kaluar caqet e mirësjelljes dhe të tolerancës ndaj një opozite arrogante, përjetësisht e pakënaqur. Dhe, ndoshta, pikërisht kjo sjellje ndaj opozitës ia ka shtuar vlerat këtij krahu politik në luftën e tij konstruktive. Kjo e ka ndihmuar të realizonte ato reforma, që bindën dhe miqtë ndërkombëtarë se këtu, në Shqipërí, funksiononin parimet demokratike, konsesusi i nevojshëm, normat e një sistemi pluralist, europian.
Opozita është e detyruar të hyjë në parlament, sepse atë e urdhëron vullneti i sovranit. Nuk votoi ai për deputetë, që të shullëhen kafeneve e për t’i ulur kështu imazhin Shqipërisë. Nuk votuan socialistët që të qëndronte me çdo kusht në krye të PS-së Edvin Rama. E ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve nuk matet me ambiciet personale për pushtet abolut. Perëndoi koha e kërkesave për flijime donkishoteske e për adhurime vetëmohuese. Është lënë pas koha e sakrificave pa kuptim në emër të një ideali, që u shkatërronte jetën “skllevërve” modernë. Bindja e kujtdo ndaj një vendimi të çmendur nuk e zbukuron devotshmërinë e avokatisë për votën e lirë. Përkundrazi! Lufta parimore, principialiteti demokratik dhe respektimi i institucioneve në opozitë, e lartësojnë edhe atë që i ka humbur zgjedhjet. Vetëm në parlament PS-ja mund të tregojë se ka mbartur vlera, të cilat, sipas saj, nuk ia paska kuptuar elektorati. Jeta vazhdon. Breza të tërë largohen natyrshëm. Por vlerat mbeten. Ato trashëgohen. Nuk duhet të ketë një tjetër forcë politike të ketë aq nevojë sa PS-ja të lërë pas vetes një trashëgimi të vyer humane, konstruktive, demokratike, pluraliste. Kurse bojkoti e mbyll PS-në në muzeun e atyre “relikeve”, që ruhen me qëllim që të mos përsëriten në Historí të tilla fenomene të shëmtuara!...