Berisha: Afrika ta njohë pavarësinë e Kosovës
Shqipëria i kërkon Afrikës së Jugut të konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës si kushtin themelor për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pritën dje ambasadorin e Republikës së Afrikës së Jugut, rezident në Romë, Lenin M. Shop, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri. “Shqiptarët e Kosovës, - theksoi Kryeministri, - janë rast i ngjashëm me historinë e Afrikës së Jugut, pasi ata përjetuan gjenocidin më të egër gjatë gjithë shekullit të kaluar nga dhuna serbe”. Nga ana e tij, ambasadori M. Shop vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në vitet e fundit dhe ndryshimet e mëdha që po bëhen në vend, si rezultat i reformave të suksesshme. Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vlerësoi sot nivelin e marrëdhënieve dypalëshe me Afrikën e Jugut, gjatë një takimi me ambasadorin e këtij vendi në Shqipëri, rezident në Romë, Lenin M. Shop. Kurse gjatë takimit me ministrin Basha, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se të dy vendet janë kthyer në eksportuese të sigurisë dhe stabilitetit politik në rajonet përkatëse. Për sa u përket zhvillimeve më të fundit në rajon dhe në Kosovë, ministri Basha shprehu bindjen se qëndrimi i drejtë dhe konstruktiv i Afrikës së Jugut në raport me realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do t’i shërbejë edhe më tej konsolidimit të paqes e sigurisë, si dhe do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy popujve tanë. Bashkëbiseduesit vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin e ndërsjellë në organizatat ndërkombëtare, duke konfirmuar vazhdimësinë dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.