Politika shqiptare bashkohet pro Kosovës
Politika shqiptare rrallëherë gjen pika bashkimi, por kur vjen fjala për Kosovën, qëndrimi shfaqet i unifikuar. Kështu ndodhi dje në tryezën e organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë në lidhje me çështjen më të nxehtë rajonale, Kosovën. Të ftuarit në panelin e diskutimit, si Sabri Godo, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, deputetja e PS-së, Arta Dade, ish-kryeministri, Pandeli Majko, deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli, si dhe profesorë nga Universiteti i Tiranës dënuan planin 6-pikësh të OKB-së, por theksuan se tashmë nuk ka më kthim prapa. Forumi vuri theksin në realitetin e ri që duhet të konkretizohet me njohjen e Kosovës nga Serbia si dhe pranimin e saj me të drejta të plota në OKB. Historiani dhe politikani Sabri Godo u shpreh se plani 6-pikësh përbën një kërcënim, por sipas tij, ky është vetëm një shantazh për Kosovën. Në diskutimin e tij Godo tha se ky plan lë mundësinë për krijimin e një “Serbska Republika” në veri të Kosovës. “Nëse ky plan do të zbatohet, atëherë nuk bëhet fjalë më për një shtet të centralizuar me kontroll në të gjithë territorin, por për një shtet ku Beogradi është ortak me Prishtinën. Një situatë e tillë shfaq rrezikun e një “Serbska Republika” të dytë pas asaj të Bosnjës”, - u shpreh Godo, i cili këmbënguli se faktori shqiptar nuk duhet të tërhiqet për asnjë centimetër, pasi përgjatë të gjitha negociatave ai është tërhequr. “Nuk ka vend më për rikthimin në bisedime me Serbinë dhe shqiptarët duhet të qëndrojnë fort për të mos u rikthyer pas”, - theksoi Sabri Godo. Ish-kryeministri Majko tha më tej se faktori shqiptar duhet të ngrejë më shumë zërin. “Jo-ja në këtë rast duhet të dëgjohet fort. Është e qartë që situata është delikate dhe në këto momente përpjekjet e Serbisë janë që të ngrijnë shtetin pavarur të Kosovës”, - u shpreh Majko, i cili lëshoi kritika mbi shtetin shqiptar, që sipas tij, nuk ka arritur të mbledhë ato që ka dhënë. “Më bëri përshtypje, pasi as Kina apo Vietnami nuk bënin zë në Këshillin e Sigurimit. Po ta hajë dreqi, kemi futur Kinën në OKB dhe na kanë vdekur ushtarë në Vietnam”, - tha Majko, i cili shtoi se “Shqipëria nuk ka pasur shkollë politike”. Kryetari i Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, Preç Zogaj, deklaroi se i gjithë faktori politik shqiptar është unik në përkrahje të Kosovës. “Natyrisht që ka vend për të bërë më shumë dhe në këtë drejtim, diplomacia shqiptare duhet ta rikonsiderojë më shumë këtë situatë”, - u shpreh Zogaj. Të njëjtën ide mbështeti edhe deputetja Arta Dade. “Ne duhet të jemi më shumë të angazhuar përkrah institucioneve të Kosovës në këtë moment të vështirë”, - u shpreh sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Dade.
Deputeti kosovar: Duhet t’i paraprinim situatës
Kryetari i grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, i ftuar në këtë diskutim, u shpreh se situata në të cilën ndodhemi sot, është neglizhuar nga klasa politike e Kosovës. “Ne duhet t’i kishim paraprirë situatës në të cilën ndodhemi, por si gjithnjë, ne ndodhemi para faktit të kryer dhe merremi me pasojat. Klasa politike e Kosovës ka treguar herë pas here papërgjegjshmëri për situatat në të cilat ndodhet vendi. Edhe plani gjashtëpikësh është neglizhuar, madje nuk ka pasur fare transparencë deri në momentin kur shohim se ato janë miratuar nga Këshilli i Sigurimit”, - u shpreh Makolli. FDE-ja deklaroi dje se inkurajon shtetin serb që të bëjë njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe në këtë mënyrë nëpërmjet përfaqësisë diplomatike në Prishtinë, shteti serb të kujdeset për mbrojtjen dhe promovimin e qytetarëve kosovarë me kombësi serbe, ashtu sikurse parashikohet në të gjitha kartat ndërkombëtare dhe sikurse praktikohet në të gjitha marrëdhëniet normale diplomatike mes vendeve demokratike. Njëkohësisht, FDE-ja i kërkon OKB-së që të bëjë njohjen formale të pavarësisë së Kosovës dhe të bëjë menjëherë pranimin e shtetit të ri të Kosovës si anëtar me të drejta të plota në OKB.