Topi: Të shtohen investitorët turq në Shqipëri
Shqipëria ndien nevojën e shtimit të investimeve turke në Shqipëri. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ftoi përfaqësuesit prestigjiozë të biznesit ballkanik, veçanërisht ata turq, që të rrisin investimet në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Turqi, Presidenti Topi së bashku me delegacionin zyrtar shqiptar, kanë zhvilluar në Stamboll një takim pune me përfaqësues të biznesit, kompanive dhe firmave prestigjioze turke. Gjithashtu, Presidenti Topi është pritur nga kryetari i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, Rifat Hisarcikliolu, nga kryetari i Këshillit të Biznesit shqiptaro-Turk, Hasmet Kyrym dhe biznesmenë të tjerë. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhe përfaqësues të delegacioneve zyrtare të vendeve të Ballkanit që kanë marrë pjesë në "Balkan Economic Summit", përfaqësues të dhomave dhe institucioneve të ndryshme me karakter tregtar, autoritete lokale etj. Duke u ndalur te marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare me Turqinë, Presidenti Topi u shpreh se këto marrëdhënie kanë njohur rritje të dukshme, ndërkohë që kërkoi intensifikimin e mëtejshëm të tyre. Sipas tij, "Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke zënë përkatësisht vendin e tretë në investime dhe në totalin e shkëmbimeve tregtare". "Marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike. Politika pa biznesin do të ishte një demagogji, do të ishte retorikë. Politika duhet të krijojë terrenin e nevojshëm për shkëmbime ekonomike në tregun ballkanik me 130 milionë banorë, ku hyn edhe Turqia me rreth 70 milionë", - u shpreh Presidenti Topi. Duke vënë në pah klimën e favorshme të të bërit biznes, kuadrin e duhur ligjor dhe lehtësirat fiskale në Shqipëri, Presidenti Topi ftoi investitorët turq dhe të tjerë të rrisin numrin e pranisë së tyre në vendin tonë.
"Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqesin interes të veçantë për të investuar dhe ndër to unë do të veçoja energjitikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja", - vijoi më tej Presidenti. Sipas tij, “klima e biznesit në Shqipëri ka ndryshuar pozitivisht”.
"Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqesin interes të veçantë për të investuar dhe ndër to unë do të veçoja energjitikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja", - vijoi më tej Presidenti. Sipas tij, “klima e biznesit në Shqipëri ka ndryshuar pozitivisht”.