Gati regjistri elektronik, plotësohet një nga kushtet e BE-së
Listat e zgjedhësve, një nga problemet më të forta të zgjedhjeve në vend, tashmë ka marrë një rrugëzgjidhje. Shqipëria ka më në fund regjistrin elektronik të shtetasve, duke lehtësuar kështu një punë të madhe për zgjedhjet e ardhshme dhe duke pastruar regjistrat e vjetër nga parregullsitë. Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Prezenca e OSBE-së dhe Delegacioni i Komisionit Evropian, prezantuan dje regjistrin e ri elektronik kombëtar të shtetasve. Duke filluar nga dhjetori, të gjitha zyrat e gjendjes civile në vend do të fillojnë të përdorin regjistrin e ri elektronik. Me një regjistër të ri elektronik do të ketë më shumë mundësi që listat e votuesve të jenë pa probleme dhe të besueshme. Këtë fakt e kanë konstatuar edhe përfaqësues të diplomacive perëndimore në vend që kanë asistuar realizimin e këtij regjistri. OSBE-ja dhe Komisioni Evropian e kanë cilësuar me të drejtë si një gur themeli për listat e votuesve. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh, tha se prova e vërtetë për sistemin e ri do të jetë zbatimi i saktë dhe i përditshëm nga zyrat e gjendjes civile. “Ne përshëndesim dhe përgëzojmë punën e madhe që është kryer nga stafi i Ministrisë dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në përgatitjen e regjistrit të ri”, - u shpreh ai. Ndërsa Luixhi Brusa, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, shtoi: “Një sistem i shëndoshë i regjistrit civil dhe adresave është guri i themelit për lista zgjedhësish të besueshme dhe për dokumente të besueshme”. Por, sipas tij, ende duhen akorduar burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për të siguruar bashkërendimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj përparësie kyçe të partneritetit evropian. Përfaqësuesi i KE-së gjithashtu theksoi se kriteret për mbrojtjen e të dhënave duhen finalizuar sa më shpejt dhe se puna për sistemin e adresave duhet të vazhdojë.
Me përfundimin e këtij regjistri Shqipëria ka plotësuar një nga detyrat e hershme të kërkuara nga BE-ja si një hap që do ta afronte vendin tonë më pranë integrimit të saj evropian. Ndërkaq, në bazë të këtij regjistri pritet që të realizohet dhe një tjetër detyrë e rëndësishme që ka të bëjë po me zgjedhjet e ardhshme, kartat e identitetit, të cilat sipas të gjitha gjasave pritet të dalin në qarkullim në janar të vitit që vjen.
Ndërkaq, gjatë prezantimit, OSBE-ja çeli një fushatë për sensibilizimin e publikut, e cila synon të informojë qytetarët rreth sistemit të ri dhe të theksojë përgjegjësinë e tyre për të regjistruar aktet e gjendjes civile në kohë. Futja në përdorim e Regjistrit Kombëtar të Shtetasve shënon hapin e fundit në krijimin e një sistemi modern të gjendjes civile në Shqipëri. Programi kompjuterik, që është pjesë e sistemit, u zhvillua bashkërisht nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe ajo e Austrisë. Asistenca në modernizimin e sistemit shqiptar të gjendjes civile u mundësua përmes një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian (2.5 milionë euro), me financime shtesë nga OSBE-ja dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, në zhvillimin e sistemit të ri ka kontribuar edhe Statistics Norway.