E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Prishtinë: Bashkëpunim për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë

Tirana dhe Prishtina zyrtare do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo, sipas tyre, është zgjidhja më e pranueshme për qëndrueshmërinë në rajon. Delegacioni i Komisionit të Jashtëm parlamentar të Kosovës u prit dje nga Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Lulzim Bash, nga ku konfirmuan qëndrimin unik se nuk do të lejojnë asnjë vendim që cenon territorin e Kosovës së pavarur. Në takimin e zhvilluar dje mes z. Basha dhe kryetarit të Komisionit të Jashtëm parlamentar të Kosovës, Sabri Hamiti, u ra dakord për bashkërendim të aktivitetit diplomatik vetëm në shërbim të ndërtimit të së ardhmes së Kosovës duke iu referuar Planit Ahtisari. Kurse Kryeministri Berisha, duke u ndalur në zhvillimet më të fundit, për sa i përket planit të OKB-së, nënvizoi se qeveria shqiptare po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet. Gjatë takimit me z. Hamiti, ai theksoi domosdoshmërinë e unitetit të liderëve kosovare për çështje të tilla të rëndësishme, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh se një rëndësi të veçantë ka shtrirja e misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, si një zhvillim tërësisht pozitiv që i shërben paqes dhe stabilitetit.

Nga ana tjetër, ministri Basha rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme për autoritetet e Kosovës për qëndrimin e tyre dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me EULEX-in, SHBA-në, BE-në, NATO-n etj. Ai u shpreh se ne i përmbahemi qëndrimit për vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e vendit dhe me pëlqimin e autoriteteve të saj. Z. Basha theksoi se është një fazë e rëndësishme e zbatimit të plotë të Planit Ahtisari dhe e kalimit përfundimtar të të gjitha kompetencave të OKB-së tek misioni EULEX, proces i cili duhet të përfundojë sa më shpejt në mënyrë që proceset e tjera integruese, evropiane dhe euroatlantike të rajonit që përfshijnë Kosovën, por dhe gjithë fqinjët e saj, të ecin përpara me shpejtësinë e duhur. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, pasi theksoi qëndrimin e vendosur të autoriteteve të Kosovës kundër planeve apo zgjidhjeve që cenojnë tërësinë territoriale të saj, si dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar e mbështetur vendosjen sa më shpejt të EULEX-it, në gjithë Kosovën, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për konsolidimin e shtetësisë dhe institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›