Berisha: Angazhohemi për një rajon më të sigurt
Asambleja Parlamentare e NATO-s mblidhet në Tiranë, për konferencën “Smart Defence”, aktivitet që i paraprin Samitit të Çikagos. Shqipëria angazhohet për vijimin e investimeve në terma ushtarakë, ekonomikë dhe politikë
Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s zhvilluan në Tiranë konferencën me temë “Smart Defence -Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të Mbrojtjes”.
Në këtë konferencë morën pjesë delegacionet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, nga Shqipëria, Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia, Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dr. Karl Lamers, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, David Hobbs, ministra, deputetë, përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë, drejtues të institucioneve të rendit, sigurisë dhe mbrojtjes, pjesëtarë të Forcave të Armatosura, dhe personalitete të tjera. Duke përshëndetur të pranishmit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se për Kuvendin e Shqipërisë, organizimi i këtij takimi në Tiranë është një ngjarje shumë e rëndësishme, që i paraprin Samitit të Chicagos, ku qeveritë e vendeve të NATO-s do të angazhohen mbi sfidat e shekullit XXI. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se Aleanca e Atlantikut është një instrument i ruajtjes dhe i sigurisë së vlerave të përbashkëta ku të gjitha vendet anëtare dhe aspirante ndajnë të njëjtën axhendë dhe të njëjtat qëllime. Në këtë komunitet, tha Kryetarja e Kuvendit, në këtë Aleancë të lirisë, të gjithë bashkë, do të vazhdojmë të investojmë në terma militarë, ekonomikë dhe politikë.
“Në këtë komunitet, në këtë Aleancë të lirisë, të gjithë bashkë, ne do të vazhdojmë të investojmë në terma militarë, ekonomikë dhe politikë”.
“Mbrojtja inteligjente” do të thotë se investimi financiar duhet të bëhet në një mënyrë më të zgjuar. Në 20 vitet e kaluara, forcat e ndryshme të Europës janë vendosur në shumë më tepër vende se më përpara. në Afganistan, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr që nga fillimi. Por të gjitha vendet tona, jemi prezent aty, duke dhënë një kontribut domethënës. Në Kosovë, përsëri shtetet e Bashkuara morën lidershipin, e më pas, Gjermania ka luajtur një rol udhëheqës në operacionet e Aleancës për një kohë të konsiderueshme dhe me shumë efektivitet. Ne jemi mirënjohës përjetë SHBA, vendeve të BE-së, të gjithë atyre që mbështetën Kosovën. Vitin e kaluar, në Libi, vende të tjera europiane së bashku me Kanadanë, treguan se ato mund të udhëheqin operacionet e NATO-s. Brenda një muaji do jetë Samiti i NATO-s në Chicago. Ai do jetë një rast unik për të gjitha vendet tona, për botën, për vendin tim, për vendet e rajonit tonë, për secilin prej vendeve që ju përfaqësoni, për të rikonfirmuar, përballë sfidave të reja, angazhimet tona të përbashkëta, për të ardhmen tonë të përbashkët në Aleancën më të madhe të lirisë të të gjitha kohërave. NATO-ja është një histori suksesi unike. Ne jemi krenarë që jemi anëtarë të saj. Ne jemi krenarë që kontribuojmë në këtë komunitet që garanton paqe e siguri”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Mbrojtja inteligjente” do jetë pjesa kryesore në axhendën e Samitit të Çikagos, ndaj organizimi i këtij takimi në Tiranë me të njëjtin objekt, do të thotë më shumë përgjegjësi për rajonin.
Kryeministri Berisha
Kryeministri Sali Berisha, duke theksuar se rëndësinë e kësaj konference për strategjinë e ardhshme të sigurisë tha se Shqipëria është e gatshme të bëjë gjithçka për të adaptuar këtë doktrinë në interesin më të mirë të sigurisë së saj, të Rajonit dhe të Aleancës.
“Midis të gjitha problemeve nuk ka mëdyshje, se problemet e sigurisë janë problemet më të para për njeriun, shoqërinë, shtetin dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut në tërësi. Ndaj dhe takimi juaj në Tiranë për të diskutuar bashkërisht çështje të sigurisë, çështje të strategjisë së ardhshme është një takim shumë i rëndësishëm. Unë ju përgëzoj ju për çështjen të cilën ju keni përzgjedhur, ‘Mbrojtjen e Mençur’, të cilën Aleanca e ka të domosdoshme ta zhvillojë në mënyrë që të përballojë më me sukses të gjitha rreziqet potenciale e ardhshme që mund të shfaqen në horizont. Në thelb po të shohim parimet e Smart Defence, mendja të shkon tek çipet mendore. Smart defence kërkon një integrim më të madh, më të përsosur, të të gjitha potencialeve të vendeve aleate dhe të Aleancës në tërësi, për të përballuar me efiçencën më të madhe dhe mundësisht me koston më të ulët të gjitha obligimet dhe detyrimet e Aleancës në misionet e saj. Smart Defence ka të bëjë para së gjithash me përcaktimin e qartë të prioriteteve dhe qëndrimin mbas tyre. Ka të bëjë me një specializim të vendeve, çka rrit shumë kapacitetin mbrojtjes, ka të bëjë me një kooperim më të ngushtë, çka bën të mundur një mbrojtje me efiçente më të shpejtë më të sigurt. Lidhja e saj me krizën nuk është reale. Në krizë jashtë krize dhe çdo kohë, forcat e armatosura të çdo vendi të lirë do të jenë të detyruara të konsiderojnë në mënyrë progresive reduktimin e shpenzimeve të tyre. Të realizojnë sa më shumë duke shpenzuar sa më pak. Kjo ka lidhje mbi të gjitha me një reformim të ri të NATO-s, Aleancë kjo, e cila ka pikërisht në reformimin e saj burimin e pashtershëm të vitalitetit. NATO është e vetmja organizatë ndërkombëtare, që nuk ka lodhje, nuk e njeh sindromin e lodhjes, përkundrazi me reforma ia del të kapë horizonte të reja, të jetë pararendëse e sigurisë së vendeve të lira në botë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri e cilësoi bashkëpunimin rajonal si një moment të rëndësishëm, duke theksuar faktin se problemet e sigurisë janë të parat për shtetin.
“’Mbrojtja Inteligjente’ ka të bëjë para së gjithash me përcaktimin e qartë të prioriteteve dhe qëndrimin mbas tyre. Ka të bëjë me një specializim të vendeve, çka rrit shumë kapacitetin mbrojtjes, ka të bëjë me një kooperim më të ngushtë, çka bën të mundur një mbrojtje me efiçente më të shpejtë më të sigurt”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë siguroi të pranishmit se Shqipëria megjithëse është vendi më i ri në NATO është i gatshëm të bëjë gjithçka për të adaptuar këtë doktrinë në interesin më të mirë të sigurisë së saj të Rajonit dhe të Aleancës.
“Forcat tona të armatosura, tha Kryeministri Berisha, janë të angazhuara në një seri projektesh në konceptin e Smart Defence sikundër jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të konsoliduar këtë koncept në rajonin e Europës Juglindore të NATO-s, të bindur se do ta bëjmë këtë rajon më të sigurt”.
Kreu i ekzekutivit shqiptar vlerësoi rolin thelbësor që NATO jep për sigurinë në Afganistan, ndaj dhe garantoi gatishmërinë e forcave ushtarake shqiptare për të kontribuar në këtë drejtim.
Gjithashtu Kryeministri Berisha siguroi partnerët e Aleancës së Atlantikut të Veriut, se Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj dhe të vazhdojë misionin paqeruajtës në Afganistan duke dhënë kontributin e saj modest për aq kohë sa SHBA dhe NATO do të jenë në atë vend.
“Javën e kaluar unë pata një vizitë në Afganistan. Një nga vizitat më mbresëlënëse të jetës sime. Pata rastin të prek, të ndiej, të shoh në vend, punën e shkëlqyer të forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut në të katër anët e Afganistanit. Ata të cilët punonin me përkushtim të madh për ndërtimin dhe konsolidimin e forcave afgane të sigurisë, të tjerë që përballeshin me falangat e AL-QAEDES dhe të talebanëve në një kufi, që Presidenti Barak Obama e ka quajtur vendin më të rrezikshme të botës, kufirin me Pakistanin. Të tjerë që me mundin punën, përkushtimin e tyre, ia kishin dalë që në një hark kohor të shkurtër të bënin të mundur që numri i fëmijëve afganë që ndiqnin shkollat të rritej nga 1 në 8 milion. Dje u firmos një marrëveshje shumë e rëndësishme, marrëveshja e partneritetit midis SHBA dhe Afganistanit. Rëndësia e jashtëzakonshme e Afganistanit për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Azinë Jugore, por në mbarë Botën, e bënë këtë marrëveshje të një rëndësie shumë të madhe. E bënë këtë marrëveshje një apel për të gjitha vendet anëtare, që edhe pas vitit 2014 të mendojë për formën e partneritetit që po i dëshmojnë këtij vendi, në mënyrë që populli afgan të ndërtojë sistemin e tij të lirë dhe gjaku i mijëra e mijëra martirëve të Aleancës, që ranë për lirinë e afganëve të shndërrohet në dritë të zhvillimit dhe progresit të këtij kombi. Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj. Unë e sigurova gjeneralin Allen se, ne do të qëndrojmë aty, për aq kohë sa SHBA dhe NATO do të jetë në atë vend, për të dhënë kontributin tonë modest”, garantoi kryeministri Berisha.
Sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare, David Hobbs
Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare, David Hobbs ndërsa vlerësoi mbajtjen e kësaj konference në Shqipëri tha se pikëpamjet e NATO-s për këtë strategji kanë të bëjnë me përcaktimin e prioriteteve, mbledhjen e aftësive dhe përdorimi më eficent i mjeteve dhe resurseve në mënyrë që të arrihet më e mira. “‘Smart defense’ është prioritet para Samitit të Çikagos. Është i domosdoshëm komunikimi ndërkombëtar për mbrojtjen. Është rritur financimi për ‘Smart defense’, pasi baza ekonomike është element kryesorë në këtë fushë. ‘Smart defense’ është një vlerë e rëndësishme, sepse na orienton për çfarë të bëjmë më mirë”. u shpreh Hobs gjatë fjalës së tij në këtë takim.
Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi vlerësoi rolin inkurajues të Asamblesë parlamentare për zbatimin e strategjisë së NATO-s “Mbrojtje e zgjuar”.
Konferenca zhvillon punimet dhe nesër ku mban fjalën e rastit, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dr. Karl Lamers si dhe në fund do të dalë me një deklaratë të përbashkët.