Inercia e konfliktit, konstante e lidershipit “Rama”
I gjendur si peshku pa ujë, i nervozuar nga prania e ballistëve dhe legalistëve, i rrethuar nga ish-aleatë të pakënaqur, Edi Rama humbi qetësinë në tryezën e mbledhur nga partitë e vogla të spektrit politik. Kryetari i Partisë Socialiste shkoi ditën e djeshme në tryezën e mbajtur në “hotel Sheraton”, për të fituar besimin e ish-aleatëve, Milo, Gjinushi, Ndoka, Koçi, Koja, Dule, Ngjela e shumë violinave të tjera. Si për të thënë unë jam këtu, kurse Berisha jo. Por muzika ndryshoi sapo kryesuesi i kësaj tryeze, Paskal Milo, filloi t’i kërkonte haptazi qëndrimin që mbante PS-ja kundrejt reformës zgjedhore dhe korrektimit kombëtar, aq të kërkuar nga partitë e vogla. Rama i nervozuar ndaj pyetjes së Milos, iu kthye “Paskal, seriozisht e ke?”. Dhe për të dalë nga situata Rama inskenoi prishjen e tryezës me batuta komuniste kundër ballistëve: “E the edhe vetë se edhe në burg të ka funksionuar, ndaj mos ndërprit se po të ishe kaq i fortë, ndërprisje Enver Hoxhën jo mua, sepse unë jam pjesë e një tjetër reforme. Në kohën e luftës kishit frikë nga gjermanët, po tani nga se keni frikë”. Replika i erdhi hazërxhevap: “Votat janë transparente, por si ke marrë nëpërmjet ligjit. Këto na trego e jo përralla”. Ndërhyn zjarrvënësi i kthyer në zjarrfikës, Milo: “Ju lutem mos replikoni”. Por piromani Rama hedh benzinë mbi zjarr: “Unë nuk ndërpreva njeri. Zakonisht ju hanit pula, lepuri ju ka mbetur në bark”.
Kuptohej qartë që provokimi i Ramës lidhej me faktin që punët me ish-aleatët i ka mbyllur dhe kërkonte te fitonte çfarë të mundte. Sepse hesapet mes tyre janë ose mbështetje pa marrëveshje paraprake, përkundër, dalje në botën e lirë, secili për vete, zoti për të gjithë. E tha edhe Rama me gojën e tij, duke fikur çdo shpresë se: “sistem zgjedhor antidemokratik nuk ka”. Sapo dëgjoi dhe këto fjalë, Spartak Ngjela, u shpreh se tryeza është lojë e Berishës: “Kemi bërë gabim që kemi ardhur, sepse nuk doni të na dëgjoni. Na thoni hajde dhe hajde ha supën tonë. Projekti juaj është i paqartë e vetmja gjë e qartë në vendin tonë është që vidhen votat. Unë jam për mazhoritar i pastër. Kjo më duket se është lojë e Saliut”. Sigurisht edhe pse kryeministrit Berisha mungoi për shkak të një agjende të paracaktuar (konferenca e Asamblesë së NATO-s dhe përurimi i rrugës Tiranë-Elbasan), për Ramën dhe Ngjelën “fajin e ka Saliu”, kush tjetër.
Sidoqoftë pa aleatë, Rama po rrezikon daljen e parakohshme nga politika, ngase 142 mijë vota pa aleatët, janë një hendek i kapërcyeshëm sado të gjata të jenë këmbët e tij. Afërmendsh i gjendur pa kauzë politike, pa moral antikorrupsioni, pa alternativë të besueshme qeverisëse, kreu i Partisë Socialiste po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare me shumë handikape çka ul në minimume historike kreditë e opozitës. Inercia politike e opozitës do të zgjasë derisa PS-ja të zgjohet nga narkoza në të cilën e ka futur Rama.