“Enver Hoxha” i Fevziut, dokumentari që mungonte në zbardhjen e profilit të diktatorit
Dje është shfaqur për një publik të zgjedhur dokumentari “Diktatori” i publicistit Blendi Fevziu. Përveç dokumenteve u sollën edhe pamje të panjohura të diktatorit, si dhe filmime familjare të pashfaqura më parë
Berisha: “Filmi, hapi i parë i madh në njohjen e barbarive të regjimit enverist”
Pas botimit të librit të suksesshëm “Enver Hoxha”, monografisë kushtuar jetës së errët të diktatorit komunist të Shqipërisë, publicisti i mirënjohur Bledi Fevziu prezantoi dje para personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore të vendit dokumentarin mbi jetën e Enver Hoxhës. Ishin të pranishëm kryeministri z.Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit zj.Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, ministra, deputetë, gazetarë, publicistë, etj.
Dokumentari, që është ekranizim i studimit të tij, u prit me mjaft interes nga të pranishmit në kinemanë “Millenium” të kryeqytetit. Përveç dokumenteve u sollën edhe pamje të panjohura të diktatorit, filmime familjare të pashfaqura më parë. Dokumentari është një analizë e hollësishme e jetës së Hoxhës nga lindja e tij e deri në ditët kur regjimi i tij ra. Blendi Fevziu ka nxjerrë një dokumentar tërheqës që shihet pa lodhje dhe mërzi të çdo kohë që të shfaqet. Fëmijëria, shkollimi, ngjitja në karrierë, krimet e kryera gjatë luftës dhe gjatë ushtrimit të pushtetit, janë shtyllat kryesore të dokumentarit që ilustrohen mjaft bukur dhe cilësisht nga pamjet fotografike e filmike të ndërthurura estetikisht dhe në kohën e duhur. Libri i Fevziut tashmë nuk mund të kuptohet pa dokumentarin e vlefshëm me të cilin ai ka sjellë një prodhim krejt origjinal dhe befasues.
Në një prononcim për mediat pas shfaqjes së dokumentarit, kryeministri Sali Berisha deklaroi se sinteza që bën në një libër dhe në film gazetari Blendi Fevziu është ndër më të plotat, më domethënëset, më autentiket e një kohe që ndoshta është edhe më tragjikja në historinë tonë kombëtare. "Ky është vetëm hapi i parë i madh në njohjen e barbarive të atij regjimi. Nuk ka diskutim që konsumimi i energjisë me të shkuarën është jo produktiv, por njohja e të shkuarës përbën një kusht të domosdoshëm për të parë me qartësi të ardhmen", theksoi kryeministri Berisha.
Ai u shpreh se ka njohur çdo anë të errët të Enver Hoxhës. "Njihja në profesionin tim urinë kronike në të cilën ishte zhytur popullin, mjerimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët se kishin përjetuar kurrë me asnjë pushtim", deklaroi Berisha