E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Me ish-aleatët do ndiqet politika e “ngrënies së kokave”

24-04-2012 / Gazeta 55

Në debatin e vjetër me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, Edi Rama ka rigjallëruar politikën e vjetër, atë të ngrënies së kokave të kundërshtarëve brenda gardhit politik. Kërcënimet direkte kanë shkuar për Milon e Gjinushin, të cilët s’u besonin veshëve se si ka mundësi që kreu i bolshevikëve shqiptarë po i trajtonte ata si menshevikë të pashpresë. Tryeza e reformës zgjedhore arriti dje vetëm një rezultat, atë të identifikimit publik të faktorit që e pengon konsensusin për interes ngushtësisht personal

Edi Rama u tha haptazi aleatëve dje se s’ka ndërmend të respektojë marrëveshjen me ta, ndërsa i paralajmëroi se, “s’e ka problem t’u hajë edhe kokat”. Tryeza e partive, ku pjesëmarrëse ishin 24 parti politike, bashkë me përfaqësuesit e PD dhe PS, u mbyll pa një marrëveshje konkrete, ndërsa s’munguan debatet, kritikat dhe akuzat e ndërsjella.
Debatet dhe replikat e ashpra mes kryesocialistit Edi Rama me krerë të partive të vogla, kanë qenë shkaku i dështimit. Në një kohë kur të gjithë prisnin një reflektim mbi kërkesën kryesore, atë të korrektimit kombëtar të sistemit aktual zgjedhor, zoti Rama u bë shkaktar i prishjes së takimit, pasi replikoi me drejtuesit e dy partive të Ballit Kombëtar, Ardiatik Alimadhi dhe Artur Roshi. Në këtë moment nisi dhe vetë degjenerimi i këtij takimi, nga i cili paraprakisht mendohej të dilej me një deklaratë të përbashkët, që do t’i drejtohej komisionit të posaçëm parlamentar. Por, ky nuk ishte i vetmi moment shkëmbimi replikash. Përsëri, kreu i Partisë Socialiste, u përball verbalisht me Paskal Milon, drejtues i Demokracisë Sociale. Ironitë e kryesocialistit drejtuar ish aleatëve ishin sa të drejtpërdrejta aq edhe meskine, teksa në brendi të tyre pohohej qartësisht dhe dhimbshëm fakti që PS nuk e ka vënë ujin në zjarr për pretendimet e të “vegjëlve”. Në vrullin e kundërshtive të shprehura nga ish aleatët dhe një pjesë e spektrit të djathtë politik që u ndje i fyer nga provokimet e ulëta të humbësit të socialistëve, aleati i vetëm që spikati “pro” arrogancës së Edi Ramës, ishte ‘vetmia’ me emrin Spartak Ngjela. Ky i fundit, gjatë debateve tha se tryeza ishte një organizim i kotë, pasi sipas tij, gjithçka mbetet në dorën e dy partive të mëdha. Qëllimi i tryezës, ku morën pjesë 24 subjekte politike, ishte diskutimi mbi një paketë propozimesh, të cilat do të duhet të adresoheshin në komisionin e reformës zgjedhore. Krerët e partive të vogla, këmbëngulin në korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, pasi sipas tyre, në këtë mënyrë do të garantohej barazia dhe leximi i drejtë i votës së qytetarëve. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, shprehu gatishmërinë për diskutimin mbi çështjen e sistemit.
Diskutimet dhe qëndrimet e kundërta vijuan edhe pas përfundimit të takimit. Pritet që organizatorët e takimit t’u kërkojnë secilës parti nënshkrimin e propozimeve të parashtruara. Në tryezën e thirrur nga partitë e vogla ishin të pranishëm edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëkryetari për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ndërsa PD-ja përfaqësohej nga Ilir Rusmali dhe Oerd Bylykbashi dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohej në tryezë nga Edmond Haxhinasto. Në nisje të takimit, kreu i PDS, Paskal Milo ka theksuar se shqetësimi për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për gjithëpërfshirje i ka mbledhur bashkë në këtë takim përfaqësues të 23 partive të vogla. “Të gjithë së bashku të realizojmë atë që kemi deklaruar që në nisje të kësaj pune për reformën e që është bazuar në dy principe, transparenca dhe gjithëpërfshirja, kemi shpresë se faktorët politikë, do i dëgjojnë me vëmendje shqetësimet tona”- theksoi Milo. Ndërsa kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se problem në kodin aktual zgjedhor mbetet deformimi i votës. Sipas tij sistemi spanjoll është zbatuar me deformime në vendin tonë ndërsa shtoi se këto deformime duhet të rregullohen me metodën e korrektimit kombëtar. “Kjo jep një parlament të polarizuar, jep me vështirësi një qeverisje, se deformimet pranohen në favor të stabilitetit të qeverisë, ndërkohë që propozimi ul deformimin dhe rrit stabilitetin e bën më të qeverisshme Shqipërinë se çfarë është aktualisht për shkak të deformimit”- theksoi Gjinushi. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë tryezë, Ilir Rusmali deklaroi se forca politike që ai përfaqëson është e gatshme të zbatojë në përmirësim të kodit zgjedhor të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Erdhëm këtu për të dëgjuar shqetësimet e partive të vogla, pamë që pikëpamjet e partive janë të larmishme, dhe duhet që të paraqesim vizionet, na duhet të përballim argumentet për çështjen”- tha ai më tej.
Kryetari i komisionit të ligjeve, Rusmali deklaroi gjithashtu se PD është e gatshme të pranojë propozimet e partive të vogla.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›