E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marçel Hila rrëfen Zotin që zbriti në Ferrin e ndërtuar prej komunistëve

24-04-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Libri “Zoti zbret në Ferr” është njëri nga botimet e fundit që u kushtohet viktimave të pafajshme që u vranë, me gjyq e pa gjyq, u varën, u burgosën, u internuan e pësuan çdo lloj padrejtësish gjatë periudhës së regjimit komunist.
Është një roman, në të cilin ndërthuren persona realë dhe fiktivë. Natyrisht, si një vepër letrare e një tipari të veçantë, në këtë vepër ka një vend të posaçëm  edhe fantazia e autorit. Por realizmi i ngjarjeve të burgjeve komuniste në vendin tonë është përshkruar me një vërtetësi që lë mbresa të forta edhe në ata që e kanë hequr në lëkurën e tyre mizorinë e këtij “institucioni riedukimi”, nëse dyfjalëshi i fundit do të merret në inversin e tij. Sepse burgjet dhe internimet e sundimit enverist janë thuajse të pashembullt edhe në gulagët e Stalinit, édhe në kampet e përqendrimit të nazizmit. Mbase mbajmë rekordin në ridënimet, - me fajësi brenda burgut! - pasi ke mbaruar afatin “ligjor” të dënimit. Madje kemi pasur edhe dënime me vdekje, për një letër të drejtuar nga këto vende keqtrajtimesh të papërfytyrueshme, drejtpërdrejt shokut Enver! Mjafton të kujtojmë rastin tipik të letrës së Xhelal Koprenckës, Vangjel Lezhës dhe Fadil Kokomanit. U dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan për këtë farë “veprimtarie”! Një tipar tjetër mortor të  burgjeve dhe internimeve tona, e përbëjnë edhe aktet e shpeshta të vetëvrasjeve. Në një analizë statistikore, në kuptimin relativ në përqindje, edhe në këtë pamje né jemi ekzemplarë.
Të futesh në këto labirinte, aq më tepër në një gjini të pazakontë letrare, siç është romani me temë vuajtjet e burgjeve komuniste shqiptare, është një orvatje vërtet e vështirë. Sepse s’kemi të bëjmë me kujtime burgjesh, qoftë si ato të Silvio Pelikos, një dramaturg me talent, madje, por që mbetet i njohur në mënyrë të veçantë për librin e tij të bujshëm édhe jashtë kufijve të Italisë, me titullin “Burgjet e mia”.
Autorit të librit “Zoti zbret në Ferr”, i është dashur të njihej thellësisht me ngjarjet e jashtëzakonshme të burgjeve tona. Përveç talentit të autorit Marçel Hila, kërkohen studime e qëmtime të përpikta. Sidomos burgu i Burrelit me qershinë e famshme të shndërruar në një varrezë, banorët e të cilit shndërroheshin shpejt në skelete të gjalla brenda atij ferri, me supën lëtyrë në të cilën mezi mund të gjendeshin disa kokrra orizi apo groshe...Uria kronike ishte bërë aq lënguese sa edhe puna vrastare në minierën nën dhé , ku duhej realizuar medoemos norma gati e pamundshme, që shkaktonte dënime shtesë, në qelitë e burgut. Nuk ishin të rralla rastet e vetaksidentimeve në minierën që gëlltiste jetë njerëzish, siç nuk mungonin edhe grevat e urisë, për t’i dhënë fund jetës së padurueshme. Nga uria që ishte bërë një gangrenë, mbahej e fshehur  vdekja e bashkëvuajtësit, që të burgosurit e dhomës të merrnin një racion më tepër!
Në këtë roman interesant ngërthehen personazhet e njëmendta me ato fiktive, siç e thamë që në fillim. Ndër personat e vërtetë mund të përmenden Engjëll Çoba, Pjetër Arbnori (Pjetër Filipi), Ibrahim Biçakçiu, At Anton Luli, Foto Bala e të tjerë. Njëri ndër protagonistët është Gjelosh Gjeto Kola, një personazh interesant, i shndërruar në mizantrop, i mbyllur krejtësisht në vetvete,  që dridhte pa fund duhan. Duket se Gjeloshi kishte halle “që mos ia ço Zot kujt”. Shokët e donin, i afroheshin, ndërsa  ai s’e hapte gojën. Por at Antoni i mbante me kurajë njerëzit. U thoshte atyre që kishte pranë: -“Duroni. Po u dorëzuat, morët fund. “Ata” dinë t’jua lexojnë dobësinë e pastaj ju fundosin plotësisht. Mos jua kini frikën atyre që vrasin mishin, se ata s’kanë fuqi t’ju vrasin shpirtin”.
Engjëll Çoba e kishte për zemër Gjelosh Gjeto Kolën nga Shoshi. Ky duhej të kishte një maraz të madh. Me atë dëshpërim të përditshëm, nuk do ta kishte të gjatë. Ia qau hallin at Antonit: - “Të lutem baj nji përpjekje me e shpëtue nga kjo vetëvrasje e ngadalshme”. Është një dialog i gjatë. Flitet për Zotin. Shpërfaqen episode të tëra të biblës. Gjeloshi s’dinte asgjë për profetin Jeremia. – Kam marre e turp të madh, por e di se do të mbetet në nji rrëfim. Më ka dalë dëshmitar djali jem, Ndoja,  e me dëshminë e tij kam hy në burg e jam dënue me 20 vjet! Më ka koritë. Do Zoti e nuk dal mâ prej burgu e vdes këtu. Mos e dhashtë Zoti çka më ka gjetë.  Më ka koritë dhe gruen e vajzat. Kuptohet se i ati nuk e pranonte të birin për vizitë. I biri, nën kërcënim, shtrëngohej që të bënte dëshmi të reja të rreme, ndaj fatkëqijve të tjerë të pafajshëm. Por Ndoja e kishte marrë veten dhe tha përpara të pandehurve se nuk kishin për të dalë mâ rrena prej gojës së vet. Nuk i mbetej veçse arratisja, në prag të arrestimit. U vra në kufi.
Këto krime të Sigurimit të shtetit janë vetëm maja e ajsbergut  të krimeve të përbindshme të atij që quhet “human” në librat e kujtimeve të Nexhmijes, por që jepte urdhrat: “Të torturohet, pastaj të vritet”. La Roshëfukoi kishte thënë se mosmirënjohja është njëri ndër veset më të shëmtuara të njeriut. Nga ana tjetër Enveri vrau bamirësit e tij më të dhimbsur e të pafajshëm, që e kishin strehuar dhe ndihmuar materialisht.
I shtjelluar si një roman, libri i Marçelit i jep dorë autorit që të shohë edhe poshtë ujërave të ajsbergut.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›