E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Anulim shitjes së tokës në qendër të Tiranës. Dosja në prokurori”

Autori i Lajmit: Redaksia
Përplasjet mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës pritet të thellohen pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se, brenda javës së ardhshme, Ekzekutivi do të anulojë kontratën e shitjes së truallit në zonën e parkut Rinia” për llogari të Taivan shpk. “Toka tek Taivani u përvetësua nga Rama, i cili me këtë vendim ka shkelur ligjet e vendit. Pronari i vërtetë do të përballet me ligjin. Do të anulojmë dhunimin mafioz. Ky dhunim dëshmon pse aleanca mafioze nuk njeh gjykatat”,- theksoi Berisha. Ai shtoi se pas këtij vendimi fshihen interesa mafioze, duke shtuar se mafia nuk ka interesa të tjera përveç pasurimit. Më tej kryeministri Berisha urdhëroi ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, që të sjellë në mbledhjen e ardhshme vendimin e për anulimin e kontratës ndërsa shtoi se kjo çështje do të kallëzohet penalisht në prokurori. “Dosja do ti dërgohet me urgjencë Prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Mbrapa qëndrimit që shkelmon mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milionë euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil”, - tha Berisha. Sipas shefit të Qeverisë, shkelja në këtë kontratë shitjeje ka të bëjë me faktin se toka në pronësi publike mund të shiten për qëllime shumë të larta dhe strategjike biznesi ose për ndërtimin e banesave sociale. Kryeministri paralajmëroi se këto ditë do të publikohen edhe raste të tjera të ngjashme. “Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Më duhet të them se shumë shpejt do tu faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze. Publikut do ti bëhet transparencë e plotë”,- u shpreh Berisha. Deklarata e kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë vjen një ditë pas asaj ku kreu i qeverisë u shpreh se do ti shkuleshin dhëmbë e dhëmballë aleancës punisto-mafioze, veprim që sipas qeverisë do të thotë zbatim i shtetit ligjor, por sipas opozitës, fillimi i një stine hakmarrjeje të egër politike, duke goditur në mënyrë selektive vetëm bizneset qe mbështetën atë.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›