E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratat Rama dhe Berisha shkëmbejnë ofertat në distancë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Dy krerët e partive kryesore politike, Edi Rama dhe Sali Berisha, shkëmbejnë ofertat e tyre në distancë. Edhe pse gjatë këtyre ditëve kanë qenë shumë të ashpër në deklaratat kundërshtuese, ata nuk kanë harruar as të ofrojnë mundësinë për bashkëpunim me njëri-tjetrin. Kryetari i selisë rozë, pasi i ktheu përgjigje Berishës për shkuljen e grupeve punisto-mafioze, e ftoi Kryeministrin të hetonin së bashku zgjedhjet. “Të bëjmë së bashku hetimin e plotë transparent të zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar Parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura”, - pohoi ai dje. Nga ana tjetër, kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit, ftoi opozitën shqiptare të hartojë ligjin për adresimin e të gjitha këtyre rekomandimeve në interesin më të mirë të saj dhe të vendit.

Rama

Rama i është përgjigjur deklaratës së djeshme të kryeministrit Sali Berisha, për shkulje dhëmbësh e dhëmballësh me darët e ligjit. Sipas Ramës, është shumë e rëndë që një kryeministër të flasë për darë dhe për shkulje dhëmballësh. Ai ka kërkuar reflektim nga ana e mazhorancës, pasi hapja e kutive është e vetmja zgjidhje e pranueshme. “Ne i bëjmë thirrje të qetësohet, të hapë kutitë e votimit, të bëjmë së bashku hetimin e plotë transparent të zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar Parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura.
Rrugë tjetër nuk ka dhe historia e vjetër dhe e re mëson se, sa më shumë pushteti i kërcet dhëmbët popullit të vet, aq më shpejt i bien dhëmbët përpara fuqisë së vetë popullit”, - tha ai, edhe pse nuk ka harruar as akuzat kundër Berishës. “Sali Berisha të qetësohet dhe me qetësi të gjejë një mënyrë për të hapur kutitë e votimit. Jemi të hapur për të bërë së bashku hetimin e zgjedhjeve, pasi nuk ka rrugë tjetër përveçse të hetojë këto zgjedhje”, - tha ai. Për kutitë, kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar reflektim nga ana e mazhorancës, por në të njëjtën kohë, nuk i ka ndalur akuzat ndaj Berishës. “Gjendja mendore e Berishës është e rënduar, pasi fjalori që ai përdor tregon gjendjen e tij. Fjalori i Berishës është turp për vendin, fjalori i tij i ngjan fjalorit të Enver Hoxhës. Berisha drejton vendin me vota të vjedhura, duke ulur nivelin e demokracisë dhe qeverisjes”, - theksoi Rama. Ai ka folur edhe për Prokurorinë, e cila ende nuk ka po heton për rrugën Durrës-Kukës. Sipas tij, vonesa në hetim është e pajustifikueshme, ndërsa thekson se ndaj Prokurorisë po ushtrohet një presion i madh. “Prokuroria të shpjegojë pse nuk po hetohet për rrugën Durrës-Kukës. Heshtja e saj është e pajustifikueshme, dhe ndaj saj po ushtrohet një presion i madh”. Nga ana tjetër, edhe kreu i Ekzekutivit ka zbutur tonet para ndërkombëtarëve. Në prani të Drejtorit të Përgjithshëm për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierr Mirel, ai ka ftuar opozitën për bashkëpunim. “Bazuar në vetë potencialet e Shqipërisë dhe OSBE/ODIHR-i ka bërë një seri vendimesh, unë dua tju garantoj ju këtu se, ashtu sikurse e kam bërë publike, jam shumë i hapur që opozita shqiptare të hartojë ligjin për adresimin e të gjitha këtyre rekomandimeve në interesin më të mirë të saj dhe të vendit”, - pohoi Berisha dje.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›