E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers alarmohet, 1 në 3 gra dhunohet

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria amerikane, nëpërmjet kryediplomatit të saj në Tiranë ka shprehur shqetësimin për dhunën në rritje ndaj grave në vendin tonë, gjatë një takimi me studentë të gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në kryeqytet ku është trajtuar një prej fenomeneve më negative të shoqërisë. Ambasadori Uidhers u është referuar statistikave më të fundit, ndërsa ka bërë thirrje që situata të marrë fund. “Kam lexuar një statistikë për Shqipërinë që më ka shokuar. Sipas saj, të paktën 1/3 e grave në Shqipëri ka përjetuar dhunë brenda familjes. Nuk dua ta mendoj se kjo është diçka e tolerueshme në çdo lloj shoqërie. Një tjetër statistikë tregon se gjatë 9 muajve të fundit janë regjistruar 1000 ankesa për dhunën. Edhe kjo është e patolerueshme. Abuzimi nuk ka vetëm formë fizike, por edhe verbale. Nocioni që gratë janë inferiore është ide e kaluar në kohë”, - theksoi ambasadori Uidhers. Dhuna ndaj grave është një fenomen që prek shoqëritë e pothuajse çdo vendi. Megjithatë, sipas ambasadorit amerikan Uidhers, është e rëndësishme që për mbrojtjen e femrës të mos punohet vetëm gjatë fushatave disajavore, por në të gjitha ditët e vitit. Sipas tij, rol të rëndësishëm luan shoqëria dhe mbi të gjitha sistemi i drejtësisë në çdo vend.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›