E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, Basha nënshkruan me Policinë e Belgjikës

Autori i Lajmit: Redaksia
Shqiptarët e kërkuar që strehohen në Belgjikë dhe belgët që strehohen në vendin tonë, të dyshuar për vepra penale, do të vihen në pranga nga policitë respektive. Marrëveshja është nënshkruar dje nga ministri i Brendshëm, Basha, dhe kreu i Policisë Belge. Strukturat policore të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës do të thellojnë nivelin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht për shkëmbimin e informacionit, si dhe për ekzekutimin e fletarresteve dhe të ekstradimeve të kërkuara nga gjykatat e të dy vendeve. “Kemi sfida dhe objektiva të njëjta dhe përballemi me të njëjtat kërcënime të kriminalitetit, ndaj duhet të thellojmë bashkëpunimin dhe, në veçanti, shkëmbimin e përvojës dhe informacionit”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin që zhvilloi sot me komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernand Koekelberg. Ministri Basha paraqiti në takim një pasqyrë të përgjithshme të rezultateve të Policisë së Shtetit kundër të gjitha aktiviteteve kriminale, e në veçanti, ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Basha theksoi se rezultatet në luftën kundër kriminalitetit e rendisin Shqipërinë si vendin më të sigurt sot në Ballkanin Perëndimor, e po kështu Shqipëria nuk përbën sot një vend domethënës për transitet e drogës apo trafiqet e tjera të paligjshme. Nga ana tjetër, Basha bëri të ditur në takim edhe luftën e vazhdueshme kundër akteve korruptive në të gjithë sektorët e administratës publike, duke përmendur faktin se vetëm javët e fundit janë goditur 12 raste të tilla. Basha tha se hap të rëndësishëm drejt një faze të re të luftës kundër krimit të organizuar përbëjnë edhe ligji “Antimafia” dhe ligji për konfiskimin e aseteve. Duke u ndalur tek angazhimi i qeverisë shqiptare për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ministri Basha informoi për ecurinë e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumente të sigurta identiteti dhe instalimin e sistemeve analoge me vendet Shengen për menaxhimin e integruar të kufirit dhe analizën e informacionit kriminal. Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës, Fernand Koekelberg, vlerësoi rezultatet e Policisë Shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim në goditjen e elementëve kriminalë. Koekelberg shprehu interesimin dhe angazhimin e plotë të Policisë Federale të Belgjikës për shkëmbimin e informacionit dhe arritjen e rezultateve konkrete për ekzekutimin e fletarresteve dhe kryerjen e procedurave përkatëse për tia dorëzuar drejtësisë personat e kërkuar në të dy vendet. Shefi i Policisë Belge shprehu gatishmërinë për të dhënë ndihmesën e nevojshme në fushën e trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës me policinë shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›