Rokada, ndryshohen tre shefa komisariatesh
Tre kryekomisarë dhe një sërë oficerësh të tjerë janë emëruar këto ditë në Policinë e Shtetit. Ata janë lëvizur nga një post në tjetrin, por në sy bie rikthimi i kryekomisarit Ismet Shkreta në Tiranë, i cili është vënë në krye të Komisariatit nr. 4, si një ndër njerëzit që njeh këtë zonë dhe që mund të rrisë luftën ndaj krimit. Burimet nga policia bënë të ditur se lëvizjet në nivel kryekomisarësh janë tre të tilla, ndërkohë që në nivel komisarësh, nënkomisarësh dhe në nivele më të ulëta, janë më të shumta. Sipas të dhënave, Ismet Shkreta ka lënë detyrën e shefit të Komisariatit të Burrelit dhe është emëruar paralel si shef i Komisariatit të Policisë nr. 4 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kryekomisar Shkreta ka mbajtur këtë post edhe para se të emërohet në Burrel dhe tashmë është rikthyer. Ky post mbahej nga kryekomisar Marjan Laca, i cili e ka lënë këtë detyrë dhe është emëruar specialist tek Interpol-Tirana. Ndërkaq, në vend të Ismet Shkretës, në Burrel është emëruar Flamur Muka. Sipas të dhënave, kryekomisar Muka ka lënë detyrën e shefit të seksionit të policimit në komunitet në Drejtorinë e Policisë të Durrësit dhe është emëruar shef i Komisariatit të Burrelit në Drejtorinë e Policisë së Dibrës. Muka kishte ndryshuar disa funksione në Drejtorinë e Policisë së Durrësit gjatë këtyre tre vjetëve, qëkur la detyrën e Shefit të Komisariatit të Kavajës. Ndërkaq, policia deklaroi se lëvizje në nivele më të ulëta ka pasur në disa drejtori policie në qarqe. Kështu nga Elbasani, disa oficerë kanë lënë detyrat dhe janë emëruar në Tiranë, ndërkohë që kanë ndodhur edhe rokada të tjera. Këto ditë, pritet që të ketë edhe ndryshime të tjera në radhët e policisë. Burimet policore shpjegojnë se këto lëvizje bëhen për përmirësimin e punës dhe për objektivat e reja të vendosura nga Ministria e Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
#