Berisha: Autostrada Tiranë-Elbasan përfundon më 1 maj të vitit 2013

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e fillimit të punimeve për dy segmente të rëndësishme të Autostradës. “Shpreh bindjen se së bashku, më 1 maj të vitit 2013 do të nisim udhëtimin te Kulla e Sahatit dhe do e përfundojmë tek Kalaja e Elbasanit” - kumtoi me krenari shefi i ekzekutivit
Autostrada Tiranë-Elbasan do jetë e kalueshme në të gjithë gjatësinë e saj duke filluar prej datës 1 maj 2013-ë. Në të dy anët e saj nisën punimet për ndërtimin e trasesë, ndërsa tuneli i Kërrabës është drejt përfundimit. Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e fillimit të punimeve për dy segmente të rëndësishme të Autostradës Tiranë- Elbasan, të segmentit të parë (Sauk -Tuneli i Krrabës) me gjatësi 13 km dhe segmentit të tretë (Tuneli i Krrabës – Elbasan) me gjatësi 11.7 km, të cilat nisin në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha u shpreh se kjo autostradë së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë, si dhe veprën më të rëndësishme në infrastrukturën “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Kryeministri tha se vetëm një infrastrukturë moderne do të kthejë pasuritë e këtij vendi në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë. “Shpreh bindjen se së bashku më 1 maj të vitit 2013 do të nisim udhëtimin tek Kulla e Sahatit dhe do e përfundojmë tek Kalaja e Elbasanit”, u shpreh kryeministri Berisha. “Ne inauguruam në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur fillimin e ndërtimit të segmenteve të autostradës Tiranë-Elbasan, nga tuneli në Tiranë dhe nga Elbasani tek tuneli i Kërrabës, autostradë kjo që së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë. Kjo autostradë që së bashku me tunelin do të ketë nën gjatësi prej 31 km bën të mundur ecjen e automjeteve me 120 km në orë, duke u kursyer kështu, të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria qendrore, juglindore, por edhe udhëtarëve nga Shkupi, Struga, Tetova, së paku 50 minuta, ndërsa transportit të rëndë mbi 1 orë e gjysmë udhëtim. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën veprën tjetër madhore në infrastrukturën për të bërë Shqipërinë, vend i zhvilluar. Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 2013-2017. Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton, Shqipërinë me infrastrukturën moderne në çdo skaj në çdo cep, në vend të saj, si kusht i të gjitha kushteve për të shndërruar në vlera për qytetarët shqiptarë, pasuritë madhore që ka vendi në fushën e energjisë, në fushën e turizmit, në fushën e biodiversitetit, në fushën e minierave. Shqipëria është një nga vendet më të pasura në rajon dhe në Evropë. Infrastruktura moderne do të kthejë pasuritë e saj në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë. Qeveria është e angazhuar që brenda këtij viti të nis ndërtimin e tunelit të Qafë-Murrizit, në mënyrë që rruga e fluksit të përjetshëm të shqiptarëve, edhe ajo të përfundojë në kohën më të shkurtër”, u shpreh Berisha. Kryeministri informoi se javët që vijnë do të inaugurohet fillimi i punimeve në të gjitha segmentet e rrugës, të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore të arrijë Tiranën në një kohë 70 për qind më të shkurtër, sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture. “Edhe njëherë dua të theksoj se kjo rrugë është segmenti me nevralgjik, më i rëndësishëm i të gjithë infrastrukturës së Shqipërisë. Kjo rrugë përben segmentin më kryesor në territorin shqiptar të Korridorit 8. Kjo rrugë bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga tregjet me te mëdha në mbarë rajonin tonë. Kjo rrugë afron me kryeqytetin një nga zonat më prodhuese të Shqipërisë siç është Korça. Kjo rrugë shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit. Kam kënaqësi tu informoj se javët që vijnë ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në të gjitha segmentet të rrugës të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore ta kapë Tiranën një kohë 70 për qind më të shkurtër sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture. Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, dhe Elbasan- Korçë në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi, si dhe përgënjeshtrimi më i shkëlqyer i lotëve të krokodilit që kallogjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë”, theksoi Berisha. Ndërsa i bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të kërkojnë ndjesë për tentativën për bllokim që i bënë buxhetit për ndërtimin e autostradës. “Unë ftoj opozitën në një vizitë kolektive tek rruga dhe tuneli si një akt pendese, se njeriu i qytetëruar pendohet, se pendesa është tipar i njeriut të qytetëruar, të vijnë ta vizitojnë për ta kuptuar se çfarë energjie negative krijuan në parlament, duke e bllokuar atë për 23 orë, kur votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore, të mos korrigjohesh është marrëzi, ndaj dhe shpresoj që të pendohen për veprimin e tyre”, tha më tej kryeministri Berisha. Punimet për dy segmentet e autostradës do të realizohen nga firma Jv Copri Construction & AKTOR S.A” dhe do të financohen nga buxheti i shtetit, Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Abu Dhabi. Projekti i Autostradës Tiranë-Elbasan është realizuar mbi bazë të një studimi të kujdesshëm nga pikëpamja e sigurisë dhe mjedisit, i cili ndër të tjera parashikon që të ripërtërijë pyjet që dëmtohen për shkak të ndërtimit të rrugës, nëpërmjet mbjelljes së mijëra rrënjëve dru. Në pjesët ku rruga intersekton lumenjtë, kryesisht Lumin e Kushes është marre parasysh dhe sistemimi i tyre. Kështu që me këtë projekt Elbasani përfiton dhe një projekt të dytë atë të sistemimit tokave dhe ndalimit te gërryerjeve për shkak të këtij lumi, i cili shumë herë ka sjellë probleme për tokat apo dhe ndërprerjen e rrugës së fshatrave. Së bashku me Kryeministrin ishin të pranishëm në këtë fillim punimesh, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olladashi, autoritete të pushtetit vendor, drejtues dhe punonjës të firmave “JV COPRI CONSTRUCTION & AKTOR S.A”. Kreu i qeverisë falënderoi me mirënjohje drejtuesit dhe punonjësit e firmës “JV Copri Construction & AKTOR S.A” për punën e shkëlqyer që ata kanë realizuar, duke e cilësuar atë si një dhuratë të madhe për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë. “Dua tu falënderoi përzemërsisht për punën e shkëlqyer që po bëni, për dhuratën e madhe që po ju bëni shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë. Ky tunel do të mbahet mend në shekuj e mijëvjeçarë si tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë”. Kryeministri tha se pranvera e cila ka nisur pas një dimri të fortë që vendi kaloi është stina e realizimit të qindra dhe qindra projekteve infrastrukturore në të katër anët e vendit, e cila do ta ngjisë Shqipërinë në një nivel të ri dhe më të lartë të zhvillimit.
...