Drejtuesit e firmës: Nevojiten edhe pak ditë që pjesa e Elbasanit të bashkohet me atë të Tiranës

Tuneli i Kërrabës hapet brenda pak javësh
“Tuneli i Kërrabës hapet brenda pak javësh”.
Ky është premtimi i drejtuesve të firmës zbatuese të projektit, “AKTOR” të cilët shprehen të sigurtë se avancimi i punimeve do bëjë të mundur përfundimin e punimeve vetëm pas pak ditësh.
Volumi total i punimeve, në të dy anët e tij i ka kaluar 80 për qind. Pjesa e tunelit është edhe segmenti më i vështirë i autostradës Tiranë-Elbasan. Autostrada Tiranë-Elbasan, arteria kryesore e Korridorit 8, është një rrugë me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Me gjatësi 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, gjerësi 28.2 metra, kjo rrugë ka 6 korsi, 1.7 kilometra ura dhe vijadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime. Autostrada do të shkurtojë distancën me Tiranën me më shumë se 50 për qind, duke shkurtuar me 40 për qind kohën e udhëtimit. Kjo distancë shkurtohet gjithashtu për të gjithë qytetet pas Elbasanit, në drejtim te Korçës dhe Ersekës apo doganave respektive dhe për këto qytete do të shkurtojë kohën e udhëtimit deri ne 60 për qind, krahasuar me atë që bëhet sot.
Gjithashtu rruga shkurton me 1 orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.