Berisha, BB-së: Hetim panelit të inspektimit
Kryeministri Sali Berisha do t’i kërkojë Bankës Botërore hetim për Panelin e Inspektimit me akuzën se është e lidhur me mafian e betonizimit të bregut. Berisha njoftoi dje përmes një konference për shtyp se do t’i kërkojë Bankës Botërore të nisë menjëherë hetimet për të zbuluar ata që kanë gabuar në hartimin e projektit, duke theksuar se situata e krijuar është problem i Bankës Botërore. Duke folur për projektin e Jalës, Kryeministri bëri të qartë se qeveria e tij ka zbatuar me përpikmëri projektin e Bankës Botërore. “Banka Botërore bëri transparencën. Ne zbatuam me korrektësi projektin dhe njollat janë vetëm atribute të vendorëve. Qeveria do t’i kërkojë BB-së që të hetojë. Do të bëjmë transparencën e veprimeve”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri i vendit kritikoi Panelin e Inspektimit të Bankës Botërore teksa theksoi: “Janë probleme tërësisht të Bankës, Banka në projekt ka parashikuar filmimet dhe anonimet e filmimeve por në projekt nuk janë parashikuar dëmshpërblimet”. Gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp, Berisha foli dhe për procesin e ratifikimit të Protokollit të NATO-s duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtarë të Aleancës të cilat i dhanë besim Shqipërisë përmes votës pro për Protokollin e Anëtarësimit.
Kryeministri e ka cilësuar këtë proces si një vlerësim të paprecedent për Shqipërinë, teksa falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se pa ndihmën e tyre gjithçka do të ishte e pamundur. "Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj qeverive, parlamenteve dhe kombeve të këtyre vendeve për vlerësimin që treguan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj rezultateve të përpjekjeve të tyre. Anëtarësimi në NATO është një ngjarje madhore për Shqipërinë", - deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, ratifikimi i Protokollit Shqipëri-NATO dhe përfundimi i këtij procesi në kohë tregon për një nivel të paprecedentë të vlerësimit të Shqipërisë nga vendet e NATO-s". Berisha pohoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut ka kritere themelore, ato të shtetit të lirë, ekonomisë së lirë të tregut, por edhe kritere ushtarake. Kryeministri vlerësoi se ratifikimi i Protokollit është dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin ligjor, ekonominë e tregut, dhe rolit të saj për paqe dhe stabilitet në rajon. Berisha deklaroi se Shqipëria tejkaloi çdo parashikim për afatin e përfundimit të ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e plotë në NATO. "Në 2005-n nuk ka patur parashikues ndër më optimistët që parashikon se Shqipëria brenda mandatit tim të parë do përfundonte Protokollin, por ne e tejkaluam këtë afat. Ju premtova ftesën e anëtarësimit shqiptarëve, po jo finalizimin e procesit, sepse të tilla ishin muret që ishin ngritur dhe që pengonin këtë proces për Shqipërinë", - shtoi Kryeministri. Sipas tij, nuk ka dyshim se ky proces do të ishte i pamundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme që Presidenti Xhorxh Bush dhe qeveria e SHBA-së, i dhanë shqiptarëve. Kryeministri Berisha foli edhe për projektin e Jalës dhe deklaroi se sot Banka Botërore bëri transparencë duke deklaruar se në këtë projekt ka gabime dhe se do dëmshpërblejë të dëmtuarit. Berisha tha: "Mafia e ndërtimeve është e përfshirë në projektin e Jalës. Qeveria do i kërkojë Bankës Botërore që të hetojë për këtë projekt". Kryeministri theksoi se projekti është zbatuar me përpikmëri. Berisha lajmëroi se Shqipëria është e gatshme që të shtojë kontigjentin e trupave në Afganistan.