Dosjet, ish-të përndjekurit, padi në Strasburg
Ish-të përndjekurit politikë ndihen të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i Kushtetueses për pezullimin e ligjit të dosjeve, ndaj kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Përmes një deklarate të përbashkët, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë njoftuan dje se një grup avokatësh, ndër më të njohurit në vend, po përgatisin padinë që do të ngrihet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg. Sipas tyre: "Me të drejtat legjitime të ish-të përndjekurve nuk mund të tallet më as Fehmi Abdiu dhe as PS-ja, trashëgimtarja e Partisë së Punës". Ata kërkojnë që gjyqtarët kriminelë të dalin para drejtësisë dhe të zbardhen të gjitha krimet që kanë kryer. Duke kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të lustracionit shqiptar, të gjitha shoqatat e ish-të përndjekurve politikë paralajmëruan protesta para ndërtesës ku është vendosur Kushtetuesja. Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi, lexoi deklaratën e përbashkët të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë duke thënë: “Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese”. Sipas tyre, pas këtij vendimi ne mbetemi i vetmi vend në Evropë që nuk është ndarë ende nga krimet e diktaturës komuniste dhe nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. “Gjatë këtyre 18 viteve, - u shpreh Blloshmi, - ne kemi pritur reagimin e institucioneve të shtetit për të kontribuar në vendosjen e paqes sociale në vend dhe për të shëruar plagët e së shkuarës, duke mos i lënë vend revanshit dhe vazhdimit të diskriminimit të të drejtave tona”. Në emër të ish-të burgosurve dhe persekutuarve politikë bëri të qartë: "Ne i njohim persekutorët tanë dhe i dimë krimet që kanë kryer, sepse jemi ende gjallë dhe asnjë vendim i standardeve të Sigurimit të Shtetit nuk do të na ndalë të bëjmë zbardhjen e krimeve të tyre". Sipas tij: "Gjyqtarët kriminelë që duhet të ishin para drejtësisë për krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk e kanë vendin në Gjykatën Kushtetuese". "Prokurorët që kanë dhënë pretenca me pushkatim, varje në litar, burgosje politike apo internime, nuk kanë vend në institucionet e shtetit të së drejtës. Ne nuk do të tërhiqemi nga përballja jonë me mbeturinat e atij sistemi, sikurse nuk jemi tërhequr për asnjë moment edhe kur diktatura na vriste, burgoste dhe internonte", - vijon më tej deklarata e ish-të përndjekurve politikë. Në këtë drejtim, ish-të përndjekurit shprehen se do të përshkallëzojnë qëndrimet e tyre në një protestë paqësore e cila do të organizohet gjatë javës së ardhshme, para Gjykatës Kushtetuese. "Kjo protestë do të organizohet kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të na gjykojnë sërish sot, 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe kundër vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi", - shprehen shoqatat e ish-të përndjekurve politikë.
Dosjet, Topi: Nuk jam penduar për heshtjen
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk është penduar për heshtjen që i bëri ligjit të lustracionit. Pas takimit që zhvilloi dje me homologun slloven, Danilo Turk, Topi deklaroi: "Nuk diskutohet për vullnete individuale, janë pozicione institucionale dhe vendimet e maturuara nuk japin shanse për pendesë”. Sipas Topit, ka qenë një vendim i qartë, i ekspozuar me të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës. “Unë, - vijoi z. Topi, - konstatoj se të gjitha institucionet e faktorit politik kanë mbajtur pozicionin e qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe Kushtetutën”. Presidenti Topi informoi Presidentin slloven për reformat në drejtësi si dhe për masat e marra për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, më i rëndësishëm në këto zgjedhje është ligji për zgjedhjet i cili së bashku me infrastrukturën zgjedhore dhe me pajisjen e shqiptarëve me letërnjoftime do t'i bënin këto zgjedhje që Shqipëria të dalë përfundimisht nga tranzicioni, që zgjedhjet të jenë në klimë të qetë dhe demokratike, të jenë zgjedhje të pranuara për të dhënë mundësinë që Shqipërua të ecë në fushën e reformave.
Dosjet, Mediu: Mazhoranca do të rishikojë ligjin
Kryetari republikan, Fatmir Mediu, apelon që mazhoranca qeverisëse të rishikojë ligjin e lustracionit. Sipas tij, duhet të merren parasysh dhe përvojat ndërkombëtare për ligjin e dosjeve. "Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin bazuar mbi kërkesën e disa subjekteve politike, natyrisht dhe me vlerësimet ndërkombëtare. Eksperiencat e tyre në vende të ndryshme për këtë çështje duhen vlerësuar shumë seriozisht nga ana jonë", - u shpreh Fatmir Mediu.
Kryetari i PR-së, Mediu, vuri në dukje se e djathta duhet të ndërmarrë politika për të zhbllokuar situatën me dosjet. "Në qoftë se flasim për institucione që flasin brenda kuadrit logjik dhe kushtetues, aq më tepër për vetë sensibilitetin që mbart ky ligj, duhet vepruar sa më shpejt", - tha kryerepublikani Fatmir Mediu.