“Ligj dhe Drejtësi”, partia e re e Ngjelës dhe Bakallit
“Ligj dhe Drejtësi” është partia e re e avokatit Spartak Ngjela. Nisma më e re politike e avokatit Spartak Ngjela, Partia për Ligj dhe Drejtësi u regjistrua dje zyrtarisht si forcë politike në gjykatë, duke i hapur rrugë konkurrimit të kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. Programi i paraqitur prej dyshes më të lartë drejtuese të partisë, Ngjela-Bakalli, e pozicionon Partinë për Ligj dhe Drejtësi, si një parti e qendrës së djathtë. “Në Shqipëri sot funksionon vetëm 17 për qind e zbatimit të ligjit. Ne mendojmë se kemi kapur kontradiktat thelbësore e një ndër to është mosrespektimi i ligjit”, - u shpreh Ngjela. Kjo parti pret edhe mbështetjen më të madhe, si pasojë siç thonë ata, e zhgënjimit nga qeveria e PD-së. “Ish-të përndjekurit e ish-pronarët janë mbështetësit tanë natyralë, por edhe ajo kategori që politika i ka mbajtur larg kutive të votimit do të orientohet drejt nesh”, - u shpreh Bakalli.
Topi, Turk: Momenti për lëvizje të lirë në BE
Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave të Shqipërisë për në BE dhe aspiratat e saj për integrimin euroatlantik. Kjo siguri iu dha dje në Tiranë Presidentit Bamir Topi nga homologu i tij slloven, Danilo Turk. Ky i fundit deklaroi se vizita e tij në Shqipëri është një përpjekje për të ngritur më shumë marrëdhëniet dypalëshe si dhe të rrisë partneritetin. Presidenti slloven nënvizoi se Sllovenia mbështet liberalizmin e vizave të Shqipërisë për në BE. Turk shtoi se Sllovenia e Shqipëria kanë mjaft mundësi për të parë dhe për të shfrytëzuar. "Unë kam sjellë 30 përfaqësues të biznesit kyç slloven dhe disa prej tyre kanë krijuar një përvojë të suksesshme në Shqipëri, ndaj ne dëshirojmë që vizita të nisë fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ekonomik dypalësh", - theksoi Presidenti. Kurse z. Topi, pas takimit me Presidentin slloven Danilo Turk, bëri të qartë se tashmë ka ardhur momenti që të arrihet lëvizja e lirë e shqiptarëve. "Shqipëria aspiron që çdo ditë t'i afrohet BE-së. Më normalja do të ishte që çdo shqiptar të lëvizte i lirë dhe besoj se tashmë jemi në momentin që të realizojmë këtë dëshirë”, - tha z.Topi.