E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Asnjë zyrtar nën hetim për korrupsion



Ndryshe nga disa lajme të shtypit, asnjë zyrtar qeverie, pjesëtar i Njësisë për Bashkërendimin e Projektit apo pjesëtar i stafit të Bankës, nuk është nën hetim për korrupsion nga departamenti i Bankës për Integritetin Institucional. Ky është sqarimi që bëri dje Banka Botërore përmes një komunikate për shtyp përmes së cilës hodhi poshtë akuzat në media për zyrtarët shqiptarë.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore shqyrtoi dje raportin e Panelit të Pavarur të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Zonës Bregdetare në Shqipëri dhe nxori konkluzionet e plota. Presidenti i Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, bëri të ditur se asnjë nga zyrtarët e qeverisë shqiptare apo anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit nuk janë nën hetim për korrupsion. Njëkohësisht edhe kryetari i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene pranoi të njëjtën gjë duk thënë se mandati i Panelit të Inspektimit “nuk përfshin hetimin e akuzave për korrupsion dhe nuk bën asnjë gjykim për këtë çështje. Paneli heton se si Banka zbaton politikat dhe procedurat e saj operacionale. Paneli nuk heton huamarrësin dhe nuk e ka bërë këtë gjë edhe në rastin në fjalë”. Në këto konkluzione thuhet se “Presidenti i ka kërkuar Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore (INT) të bëjë një Kontroll Llogaridhënieje në lidhje me të ashtuquajturën prezantim të shtrembëruar nga stafi i Bankës tek Paneli e Inspektimit si dhe në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e Projektit, paraqitjen në Bord, mbikëqyrjen e Projektit dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura korrektuese”.

Bori Ekzekutiv i Bankës Botërore miratoi një plan veprimi sipas të cilit do të merren një sërë masash “me mbështetjen e Bankës, përfshirë: një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve”. Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë edhe përfundimin e një vlerësimi social dhe të vulnerabilitetit dhe aplikimin retroaktiv të paketave të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet. Ekipi i Menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›