Intervistë me Jamarbër Malltezin mbi konkluzionet e Bankës Botërore
Koordinatori i Projektit për Menaxhimin e zonës Bregdetare, Jamarbër Malltezi, tha dje për “Zërin e Amerikës” se prishja e ndërtimeve pa leje në zonën e Jalës ka ndodhur nga kërkesa e vetë Bankës Botërore. Deklarata e tij erdhi pas konkluzioneve të Bordit të Bankës Botërore, i cili deklaroi se nuk po heton asnjë zyrtar për korrupsion. Malltezi tha se problemet nuk kanë të bëjnë aspak me qeverinë shqiptare, por me procedurat e brendshme të vetë Bankës. Sipas tij, ajo ka pasur disa qëndrime kontradiktore në lidhje me këtë projekt që nisi me qeverinë socialiste. Koordinatori Jamarbër Malltezi tha se Banka Botërore duhet të mbajë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur me ndërtimet pa leje. Ai akuzoi edhe klane ndërtuesish që sipas tij, kanë hedhur akuza të pabaza.
Cili është reagimi juaj ndaj vendimit të Bankës Botërore pas raportit të Komisionit të Inspektimit?
Së pari më duhet të them se ishte një vendim i pritshëm, në themel të sulmeve kanë qenë prishja e planeve korruptive të ndërtuesve dhe botuesve apo të ndonjë personi të njohur publik që i kontrollon me sms, për të grabitur toka në bregdetin jugor sipas praktikës korruptive të fshatrave turistikë që u zbatuan nga qeveritë e mëparshme në bregdetin Adriatik. Prishja e këtyre planeve natyrisht nuk ka kaluar në heshtje nga këta ndërtues-botues, të cilët u përpoqën të shesin një problem të brendshëm, si problem mes qeverisë dhe Bankës apo akoma më tej, të Zyrës së Koordinimit. Shkuan deri aty me mashtrime sa pretendonin që Zyra e Koordinimit ishte menaxhment i Bankës dhe budallallëqe të tjera si këto. Me sa di unë, autoritetet shqiptare i kanë dërguar informacione të bollshme Bankës, të cilët sqarojnë qartësisht situatën faktike. Është e qartë që në raportin e panelit nuk ka tagër që të shikohet gjë tjetër përveçse të shikohen procedurat e Bankës. Më tej qeveria e Shqipërisë mesa kam dijeni, i ka kërkuar Bankës që të kërkojë ndjesë publike për mashtrimet që ka paraqitur në atë raport, me sa duket e ndikuar në mënyrë jo të rregullt nga këto grupe ndërtues-botues, të cilët i botuan planet e tyre të fshatrave turistikë si katalogë dhe i përdorën për marketingje ndërkombëtare, si ne Jalë, në Ksamil dhe më radhë. Krejt e kundërta është e vërteta, qeveria e Shqipërisë e hodhi poshtë atë plan klientelist, të bazuar mbi njolla klienteliste dhe së bashku me Bankën Botërore, pra atë plan klientelist e rrëzoi që në 2006-n, pavarësisht se këto grupe ndërtimore i kanë publikuar në katalogë në 2005, 2006 dhe qeveria e tashme në bashkëpunim me Bankën kanë përgatitur planin e zhvillimit në përputhje me Kodin Evropian të Sjelljes në Zonat Bregdetare që heq njollat selektive dhe tregon veç kriteret ku lejohet, çfarë lejohet, fuqizon pushtetin vendor, bashkitë dhe komunat të përgatisin planet lokale te zhvillimit.
Banka Botërore zoti Malltezi pranon gabimet e rënda të bëra në hartimin e këtij projekti si dhe mungesën e komunikimit. Ju drejtoni pikërisht atë zyrë që mundëson komunikimin mes Bankës dhe qeverisë shqiptare. A ndieni ju përgjegjësi për vendimin e prishjes së shtëpive që janë në fakt në qendër të kësaj çështjeje?
Së pari, më duhet të them se Banka Botërore ka përgjegjësi për sa i përket komunikimit, përgatitjes dhe çështjeve të tjera që janë probleme të saj të brendshme.
Unë po flas për komunikimin mes qeverisë dhe Bankës për projektin në fjalë…
Banka me qeverinë komunikojnë përmes “aid memoire” dhe marrëveshjeve të kredisë. Në një “aid memoire” të 2004-s Banka Botërore shprehet se qeveria duhet të vazhdojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme. Në rast se një klan tjetër brenda Bankës Botërore kthehet tani në 2008-n a në 2009-n dhe thotë: “Ore, kjo që ka deklaruar Banka Botërore mund ta bëjë përgjegjëse Bankën Botërore për prishje që në 2004-n”, ky është një problem i Bankës Botërore. Së dyti, Banka Botërore ngre çështjen pse në plan prokurimi të përgatitur në 2004 dhe i miratuar në qershor të 2005-s ka përfshirë pajisjet për fuqizimin e Policisë Ndërtimore. Përsëri në rast se një klan brenda Bankës tani thotë se nuk duhet ta kishim ndihmuar fuqizimin e policisë ndërtimore, prapë është problemi i Bankës. Një problem i tretë ka të bëjë me duhej apo nuk duhej dhënë fotografimi ajror Policisë Ndërtimore. Ne kemi dy dokumente zyrtare të Bankës Botërore, një në 2006-n dhe një në shkurt të 2007-s i cili i kërkon, pra “aid memoire” është dokumenti zyrtar që lejon dhe vendos “detyrat e shtëpisë” në ecurinë e projektit, pra dokumenti zyrtar i Bankës i cili kërkon që duhet bërë fotografimi ajror për kontrollin e ndërtimeve të paligjshme dhe t’i jepen policisë mbi bazë tremujore. Në rast se Banka tani tërhiqet dhe mendon se nuk duhet të ishte kryer, prapë është problem i brendshëm i Bankës në mesazhin që përcjell, duke pasur parasysh që jep “aid memoar”-et si dokument zyrtar. Çfarë ka tashi?! Ka një pikë tjetër që thuhet “letra përcjellëse e fotografive ajrore”, është në përputhje qoftë me rekomandimin e bankës për vënien në dispozicion të fotografive, qoftë të detyrimit që kanë zyrat për të përcjellë tek autoritetet shqiptare çdo raport të paguar me paratë tona. Letra shoqëruese e këtyre fotografive nuk përmend as fjalën Jalë, as fjalën prishje. Vendimmarrja se ku ndërhyn, çfarë ndërhyn ishte ekskluzivitet i Inspektoratit të Ndërtimit.
Zoti Malltezi, në Shqipëri, ndërtimet e paligjshme janë mjaft të përhapura, por në rastin e bregut jugor si Jala, bie në sy një veprim i shpejtë, pa u lënë kohë banorëve të ankohen apo pa u gjetur forma të tjera strehimi për ta. Ka kritika që prishja e shtëpive është bërë në mënyrë selektive. Si do t’u përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Atëherë së pari më duhet të them se nuk jam drejtor i Policisë Ndërtimore apo i Inspektoratit të Ndërtimit që të jap një përgjigje të saktë. Në ato që unë kam parë…
…Megjithatë, ju keni udhëzuar policinë ndërtimore, apo jo?
Është krejtësisht e gabuar, është mashtrim i këtyre grupe gazetarësh të paguar nga këta grupe botuesish-ndërtuesish. Më duhet të them që letra i përcjell thjeshtë fotografitë, por nuk thotë as fjalën prishje, asgjë. Kështu që kjo është thjeshtë trillim.
Atëherë, kush ia bëri policisë kërkesën për prishjen e shtëpive?
Nuk ka pasur kërkesë për prishje. Nuk ka pasur asnjë kërkesë. Më lejoni të sqaroj dhe diçka tjetër që për sa i përket prishjeve të ndërtimit, nga ato që unë kam parë dhe në dosje të mëdha që ka dorëzuar qeveria e Shqipërisë pranë Bankës Botërore që tregon situatën faktike, thuhet që janë mbi 200 prishje të ndërtimeve të paligjshme në 2004, mbi 110 janë në 2006, nga të cilat gati 90 në Ksamil dhe 90 prishje në 2007, të gjitha këto prishje në bregdetin e Jonit. Dhe po të marrim parasysh, në Ksamil kemi 8 herë më tepër se në Jalë, kemi dhe 14 prishje në Borsh, 12 në Jalë, 12 në Bunec, 5 në Dhërmi e kështu me radhë. Për sa i përket vendimmarrjes, ajo është krejtësisht e autoriteteve shqiptare të Inspektorateve të Ndërtimit, qoftë vendor, qoftë kombëtar, i cili vendos nëse duhet të lejohen ndërtimet e paligjshme në bregdet. Për më tepër një raport ligjor “due inteligjenc” konfirmon që qoftë qeveria, qoftë policia ndërtimore kanë qenë në përputhje me ligjin.
Atëherë ky ka qenë ligji i vendit tuaj, atëherë përse u desh që ju dhe ministri i Transportit në Parlament ta justifikonte prishjen duke përdorur emrin e Bankës Botërore, në njëfarë mënyrë duke u fshehur pas emrit të Bankës?
Nuk është e vërtetë që është fshehur pas emrit të Bankës.
Të paktën kështu thuhet në raportin e inspektimit të Bankës…
Në raportin e inspektimit, qeveria e Shqipërisë i ka kërkuar Bankës Botërore që të mos mjaftohet vetëm me deklaratën që ka bërë, por të bëjë edhe kërkesë si dhe ndjesë publike ndaj disa prej këtyre trillimeve që janë të stisura nga këto grupet afër ndërtuesve-botuesve. Duhet të them që ministri ka deklaruar se ne do të respektojmë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke respektuar mjedisin, duke respektuar trashëgiminë, qoftë mjedisore, qoftë kulturore të zonës. Për sa i përket deklarimeve të fundit të ministrit ka “aid memoire” në vazhdim të Bankës duke filluar që nga 2004-a në të cilin qeveria shqiptare ka zbatuar ligjin dhe në rast se Banka mendon që ka bërë gabim kjo i përket “aid memoire” të vetë Bankës dhe kjo do ta bëjë vetëm Bankën përgjegjëse për gjithë ndërtimet nga 2004-a.
Si janë marrëdhënia tuaja sot me Bankën Botërore dhe a do të vazhdoni ta mbani ende vendin e koordinatorit?
Besoj se kjo është një pyetje personale. Normalisht janë shumë të mira, megjithatë nuk besoj se ky raport ka interes për dëgjuesin. Më lejoni t’ju them se të gjithë “aid memoire” e deritanishme e konsiderojnë projektin shumë të suksesshëm, për me tepër në dokumentet zyrtar të Bankës, ndërkohë qeveria e Shqipërisë deklaron që nuk mund t’i qëndrojë pezullimit si pasojë e gabimit të vetë Bankës, nuk ka pse të penalizohet Shqipëria, ndërkohë vetë ministria e konsideron si projekt shumë të suksesshëm që është hera e parë që përgatit një projekt të integruar që fuqizon institucionet të përgatisin planet dhe modernizojnë infrastrukturën.