Olldashi: Projekti, probleme të brendshme të BB-së
Ministria e Punëve Publike i quajti dje probleme të brendshme të Bankës Botërore pretendimet ndaj projektit të Jalës dhe që nuk kanë lidhje me qeverinë. Ministri Sokol Olldashi përmes një deklarate për mediat reagoi menjëherë pas publikimit të konkluzioneve të Bordit të Bankës Botërore për raportin e Panelit të Inspektimit. Sipas tij, Banka Botërore vërtetoi se problemet me projektin në fjalë janë probleme të brendshme të vetë Bankës dhe nuk kanë të bëjnë fare me qeverinë shqiptare. “Deklarata e Bankës Botërore e bërë ditën e djeshme rikonfirmon faktin dhe deklaratat tona që problemet me projektin “Menaxhimi Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare” janë probleme të brendshme të Bankës Botërore”, - tha zëdhënësja e shtypit, Erla Mëhilli. Ajo shtoi se deklarata e Bankës hedh poshtë çdo akuzë politike të ardhur nga ana e opozitës. “Deklarata për shtyp sqaron qartësisht se këto probleme kanë të bëjnë me përputhshmërinë, me politikat dhe procedurat e vetë Bankës qysh gjatë konceptimit të projektit në vitin 2004 e në vijim dhe aspak me çështje të lidhura me qeverinë e Shqipërisë apo Zyrën e Koordinimit të Projektit. Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore nëpërmjet kësaj deklarate hedh poshtë si mashtrim të pastër politik pretendimet dyjavore të ndërtuesve/botuesve afër Edi Ramës të cilëve iu prishen planet për njollat ndërtimi klienteliste”, - tha Mëhilli. Zëdhënësja më pas deklaroi se ministria rikonfirmon se projekti “Menaxhimi Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare” është një projekt i suksesshëm i qeverisë. Sipas saj, ky projekt i jep fund abuzimeve dhe vendos një standard të barabartë për zhvillimin e gjithë kësaj zone. Ajo nënrenditi të gjitha elementet e projektit për modernizimin e bregdetit shqiptar në jug. “MPPTT-ja rikonfirmon që projekti ‘Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare’ është projekt i suksesshëm, i cili për herë të parë integron planet zhvillimore me investimet publike”, - shtoi Mëhilli. Zëdhënësja e ministrisë tha se zona nuk ka pasur prej 30 vitesh investime publike, ndërkohë që sipas projektit do të ketë ndërhyrje të mëdha infrastrukturore. “Përveç fuqizimit të institucioneve dhe hartimit të Planit të Zhvillimit të Zonës Bregdetare (i pari plan zhvillimi në përputhje me Kodin Evropian të Sjelljes në Zonat Bregdetare), ky projekt po mbështet dhe modernizimin e portit të Sarandës, rinovimin e rrjeteve të KUZ në Sarandë dhe Himarë, krijimin e një vend-depozitimi të mbetjeve urbane për bregdetin e Jonit, si edhe mbi 12 projekte rruge dhe ujësjellës në çdo fshat të bregut të Jonit nga Orikumi në Nivicë, zona që kishin mbi 30 vjet pa asnjë investim publik”, - përfundoi deklaratën zëdhënësja e Ministrisë.
Konkluzioni i Bordit të Bankës Botërore
Duke pasur parasysh seriozitetin e gabimeve të përcaktuara në Projekt, Presidenti i Bankës Botërore i kërkoi Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të kryejë një shqyrtim për të parë rrethanat që lidhen me nxjerrjen e korrigjimit të shtatorit 2008. Duke u mbështetur në këtë shqyrtim, Presidenti i ka kërkuar Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore (INT) të bëjë një Kontroll Llogaridhënieje në lidhje me të ashtuquajturën prezantim të shtrembëruar nga stafi i Bankës tek Paneli e Inspektimit si dhe në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e Projektit, paraqitjen në Bord, mbikëqyrjen e Projektit, dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura korrektuese. Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion.