Basha, Miku: Forcim marrëdhënieve rumuno-shqiptare
Shqipëria dhe Rumania ndajnë të njëjtin mendim për nxitjen e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit etj. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti dje në Ministrinë Punëve të Jashtme, në një takim lamtumire, Të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Rumanisë në Tiranë, z. George Miku. Mbas përshëndetjeve të rastit dhe vlerësimeve nga ana e ministrit Basha për kontributin që diplomati i vjetër, ambasadori dhe, tashmë, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Rumanisë në Tiranë, z. Miku, ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ambasadori Miku vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me ministrin Basha, ndihmën që institucionet shqiptare i kanë dhënë atij për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga shteti dhe qeveria rumune. Z. Miku premtoi se edhe gjatë kohës që do të jetë në Rumani, do të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e marrëdhënieve rumuno-shqiptare.