E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bashkëpunim të shkëlqyer me SHBA-në

“Partneritetet dhe bashkëpunim edhe me z. Obama”

“FA, e aftë për çdo mision që kërkohet”

Kontributi i Shqipërisë me misionin e saj paqeruajtës për sigurinë në Irak ka shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj dhe Kryeministri Sali Berisha shprehu dje angazhimin e plotë për vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Presidentin e zgjedhur amerikan, Barak Obama. Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e pritjes së trupave ushtarake shqiptare që kanë shërbyer në misionin paqeruajtës “Liria e Irakut”, në Mosul dhe në Bagdad. Të pranishëm në këtë ceremoni të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes në sheshin “Skënderbej” ishin dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon L. Uidhers, përfaqësues të kabinetit qeveritar etj. Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Berisha pasi i uroi trupat ushtarake shqiptare për përmbushjen me sukses të misionit të tyre dhe kthimin faqebardhë në atdhe, vlerësoi se prania e ushtarëve shqiptarë në Irak ishte para së gjithash simbol i respektit, mirënjohjes dhe miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, kombit amerikan, qeverisë amerikane dhe Presidentit Bush. “Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush do ta vazhdojmë me Presidentin e zgjedhur Barak Obama në të gjitha rastet, në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ai iu drejtua ushtarakëve që për 5 vjet me radhë kontribuuan për sigurinë në Irak: “Misioni juaj ishte një mision i bekuar, të tilla janë të gjitha misionet e paqes, i tillë është misioni që vëllezërit tuaj kryejnë në Afganistan, në Çad e kudo gjetiu”. Por sipas tij, ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe. “Ju atje, - vijoi Berisha, - shkuat së bashku me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit. Prania juaj ishte para së gjithash simbol i respektit i mirënjohjes i miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, ndaj qeverisë amerikane dhe Presidentit Bush. Kam pasur rastin t`ju vizitoj në Mosul. Jam ndier thellësisht i impresionuar nga marrëdhëniet e shkëlqyera, bashkëpunimi i përsosur, koordinimi i plotë juaji me njësitë amerikane në Mosul”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha shprehu bindjen se "Forcat e Armatosura të Shqipërisë sot janë më të gatshme se kurrë, më të aftë, më të vendosur dhe më profesionistë për të kryer çdo mision që do të kërkohet". Z. Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë ushtarët, nënoficerët dhe oficerët që mbyllën me dinjitet misionin e tyre 5-vjeçar në Irak. Kryeministri kujtoi se pesë vjet më parë nga ky shesh, njësia e parë e brigadës Komando u nis për në Irak, pas vendimit të qeverisë shqiptare për t`u bashkuar në koalicionin e vullnetit të atyre të cilët donin të ndihmonin kombin irakian për të ndërtuar paqen, lirinë dhe demokracinë në vendin e tyre. “Pesë vjet, - shtoi ai, - ju shërbyet në Mosul, në Bagdad, ju dhatë një kontribut të jashtëzakonshëm, ju mbrojtët jetën e qytetarëve irakianë, ju shkuat atje në një kohë kur Iraku përjetonte pasojat e tmerrshme të një diktature barbare. Riktheheni sot nga një Irak që ka një qeveri të zgjedhur demokratike; riktheheni sot nga një Irak, i cili çdo javë çdo muaj merr në duart e veta paqen sigurinë e qytetarëve dhe të vendit”, - vuri në dukje kreu i qeverisë shqiptare.

Uidhers: E afërt dita kur Shqipëria hyn në NATO

Në emër të qeverisë amerikane, ambasadori Xhon L. Uidhers u shprehu dje mirënjohjen paqeruajtësve shqiptarë që kontribuuan përkrah SHBA-së në Irak. Ambasadori Uidhers u përcolli urimet, dhe si i pranishëm në këtë ceremoni e vlerësoi si një kënaqësi të veçantë të dëshmosh që ushtarët shqiptarë të sapokthyer nga shërbimi në Irak, kanë përmbushur detyrën e tyre me nder dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre. Diplomati amerikan siguroi se SHBA-ja vazhdon të jetë një aleate e fortë e shqiptarëve. Duke shprehur mirënjohjen e popullit amerikan, ambasadori Uidhers shprehu bindjen se "nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria të qëndrojnë përkrah SHBA-së si anëtarë me të drejta të plota i NATO-s". “Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët. Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajon e treguar në sy të rrezikut dhe për sakrificat e bëra, duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja. Sot ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të popullit amerikan, pasi keni qenë gjithmonë miq të Amerikës, kur ajo ka pasur nevojë dhe unë shoh përpara, drejt asaj dite që nuk është shumë e largët më kur ju të qëndroni përkrah nesh si anëtarë të NATO-s”, - u shpreh ndër të tjera ambasadori i SHBA-së në Tiranë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të ushtrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›