E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën, në Kuvend, Kodi dhe ligji për prokurorinë



Në seancën e fundit plenare për këtë vit, ditën e hënë do të diskutohen dekreti i Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor dhe projektligji "Për Prokurorinë". Për të dyja këto çështje maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensus, duke i miratuar ato në komisionet përkatëse. Ligji i Kodit zgjedhor, pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës më 3 dhjetor, u rishqyrtua nga komisioni i posaçëm zgjedhor, i cili miratoi një dispozitë tranzitore që i hap rrugën caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare 2009, nga Kreu i Shtetit. Ky i fundit e dekreton datën e zgjedhjeve 7 ditë pas miratimit të Kodit. Ligji i ri zgjedhor përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore. Ndërsa p/ligji "Për Prokurorinë" u miratua dje nga komisioni i Ligjeve me konsensusin e deputetëve të të dyja palëve. Ligji i ri, që për nga rëndësia në reformimin e sistemit të drejtësisë, renditet i dyti pas ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe kërkon miratim me shumicë të cilësuar votash (84 vota). Projekti i ligjor i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, synon të rregullojë disa aspekte të rëndësishme të pozicionit dhe punës së Prokurorisë, në funksion të misionit të saj kushtetues si organ i centralizuar. Gjithashtu, në seancën e fundit parlamentare për vitin 2009, parashikohet dhe miratimi i disa shtesave dhe ndryshimeve në Kodin Civil, në Kodin Penal, Kodin e Punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›