E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama e votoi ligjin e Prokurorisë nga frika



Kreu i LSI-së heq dorë nga kërkesa për bisedime

U kthehet premtimeve dhe takimeve me elektoratin

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për negociata me Partinë Socialiste dhe kreun e saj Edi Rama për sa i përket Kodit të ri Zgjedhor. Pasi PS-ja bashkoi votat me mazhorancën për ligjin e debatueshëm të Prokurorisë, Meta ka shuar çdo shpresë se mund të ketë mundësi që të diskutohet për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, ku PS-ja nuk lëshon pe. Por arma e fundit në këtë lojë për Metën është akuza publike. Kështu, ai dje ka komentuar bashkimin e votave të PS-së e PD-së për ligjin e Prokurorisë, kur mazhoranca bënte një marrëveshje të minutës së fundit me LSI-në për t’i dhënë asaj anëtarin e KQZ-së. "Pas 21 prillit, natës së errët të ndryshimeve kushtetuese, institucionet në vend janë gjithmonë edhe më të pasigurta, sepse është rrëzuar themeli i shtetit shqiptar", - u shpreh Meta në një takim elektoral dje në Kavajë. Ai tha: “PS-PD gjetën konsensusin tani në një mënyrë të çuditshme për "Ligjin për Prokurorinë. Vetëm nga frika se mos LSI-ja me të drejtë do të merrte anëtarin e KQZ-së, PS-ja dha konsensus për këtë ligj, kur jo më vonë se pak ditë më parë lidershipi i saj deklaroi që nuk do e mbështeste këtë draft”. Ai akuzoi dy partitë e mëdha për një tjetër marrëveshje mes tyre, megjithëse nuk është pranuar publikisht një gjë e tillë. "Projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit", - tha Meta.

Ndërkohë dje në Kavajë, kreu i LSI-së e shfrytëzoi takimin për të bërë premtimet elektorale të partisë së tij. Ai theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që janë sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. Meta tha se nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Sipas Metës, zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi. Ndër të tjera, Meta u shpreh: "Pavarësisht kontributit të sektorit bujqësor në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar me mbi 22 %, që e bën sektorin e dytë që kontribuon më shumë, sot ky sektor është një nga sektorët më të diskriminuar ku shpenzimet për bujqësinë nuk zënë më shumë se 2% të buxhetit të shtetit ose 0.5% nga kontributi i saj në GDP, ndërkohë që kontributi është 10 herë më i madh”. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për mungesën e një master-plani për zhvillimin e kësaj zone turistike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›