E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa dekoron ushtarët dhe oficerët e “Irakut”



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dekoroi dje me medalje disa kontigjente pjesëmarrëse në misionin “Liria e Irakut“, si dhe me urdhër të veçantë “Për pjesëmarrje në shërbimet ndërkombëtare” të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që morën pjesë në këtë mision. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe demonstrimi ajror i helikopterëve të FA Shqiptare në shenjë përshëndetjeje për përfundimin me sukses të plotë të këtij misioni të vështirë, por mjaft domethënës për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura. Ceremonia e djeshme ishte faza përmbyllëse e një vargu aktivitetesh që kanë filluar që me datë 20 dhjetor 2008, kur në aeroportin e Rinasit të parët që u kthyen në atdhe, ishin 95 trupat ushtarake të misionit shtesë të Bagdadit, të shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa më 23 dhjetor u pritën 120 trupat e Kontigjentit të 12-të Paqeruajtës që vinin nga Mosuli i Irakut. Misioni “Liria e Irakut” filloi në prill 2003, me kontributin e pazëvendësueshëm të trupave ushtarake të regjimentit Komando. Rreth 1338 trupa paqeruajtëse shqiptare kanë kontribuar përgjatë 5 viteve (2003-2008), në kuadër të misionit "Liria e Irakut", përkrah ushtrive të vendeve të tjera të NATO-s. Misioni "Liria e Irakut" nisi në prill të vitit 2003, me kontributin e trupave ushtarake të regjimentit Komando. Kontigjenti i parë shqiptar që është nisur në Irak ka pasur në përbërje të tij 71 ushtarakë. Pas përfundimit të misionit, në datën 23 dhjetor u kthye në Shqipëri edhe kontigjenti i 12 paqeruajtës, i cili shërbeu në Mosul. Kthimi në atdhe i 120 trupave të këtij kontigjenti shënoi edhe fundin e suksesshëm të misionit 5-vjeçar të trupave paqeruajtëse shqiptare në Irak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›