E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS, ligj për shpëtimin e grave fatkeqe nga burgu



Kreu i PS-së kërkon nga Topi faljen e 75-vjeçares së dënuar për kultivim hashashi. Ajo ka lënë dy nipat vetëm në shtëpi

Ligji është i barabartë për të gjithë. Por kjo shprehje nuk bind gjithkënd. Kreu i PS-së, Edi Rama, mendon se disa raste dënimesh duhet të kenë trajtim të veçantë dhe ligji të mos jetë me ta i rreptë si për të gjithë. Partia Socialiste ka vendosur ta përdorë forcën e saj ligjvënëse në Kuvend, duke sjellë një projektligj për trajtimin e grave në burg. Kjo është ideja e hedhur nga kreu i kësaj partie, Edi Rama, pasi u njoh me rastin e gruas 75-vjeçare nga Fieri, e cila vuan dënimin, ndërkohë që nipat jetimë jetojnë të vetëm dhe pa mbështetje. Feride Bako, 75-vjeçare, është dënuar me 5 vjet burg për kultivim bimësh narkotike. Ajo ka humbur djalin emigrant dhe gjatë kohës që ishte në burg, ka humbur dhe të shoqin, duke mbetur e vetmja mbështetje për nipat e saj. Rama ka shkuar posaçërisht dje atë në qelinë e burgut ku vuan dënimin, nga ku i ka bërë thirrje Presidentit që t’i japë falje në fund të vitit. “I bëj apel Presidentit të Republikës, që me përgjegjësinë që i jep ligji, të falë 75-vjeçaren Feride Bako dhe t’i japë mundësinë të përqafojë nipat e saj në vigjilje të Vitit të Ri”, - tha kreu i PS-së. Duke e parë këtë çështje jo si të veçuar, ai u ka dhënë porosi ekspertëve të partisë që të bëjnë gati draftin ligjor për trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë të veçantë. “U kam kërkuar ekspertëve tanë, që t’i vënë në dispozicion grupit parlamentar të Partisë Socialiste një propozim konkret për të trajtuar këtë grup fajtorësh pa faj përmes një nisme që duhet t’i japë secilës prej tyre, një shans për t’u trajtuar brenda kornizës së një amnistie, sigurisht rast pas rasti”, - tha Rama me gruan e dënuar në krah. Duke shpjeguar logjikën me të cilën mund të funksionojë kjo lloj amnistie, ai sqaroi: “Çdo grua që mbahet në burg, për të njëjtin shkak, ndërkohë që me dhjetëra e dhjetëra fëmijë janë rrugëve në mëshirë të fatit, pa gjyshen apo nënën e tyre, duhet të ketë shansin e një trajtimi rast pas rasti të mundësisë së faljes në bazë të një ligji të veçantë”. Por kreu i PS-së nuk ka ngurruar ta përdorë këtë rast edhe për luftë politike ndaj mazhorancës aktuale. Sipas tij, "kriminalizimi i një plake 75-vjeçare dhe dënimi i saj, e një grushti grash fatkeqe, të cilat në bilancet e luftës ndaj trafikut të drogës figurojnë si shifra suksesi, është në fakt një padrejtësi e madhe që vetë shteti dhe shoqëria duhet ta vënë në vend”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›