E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e reja, PD zgjedh kryetarin e parë lokal



Ekonomisti Demçolli në krye të PD-së Devoll

Bode: PD me struktura më të forta në 2009

Përmes proçesit të ristrukturimit të PD-së, i cili ka filluar prej 4 muajsh, konkretizohet zgjedhja e kryetarit të parë lokal të demokratëve. Dega e PD-së së Devollit zgjodhi dje drejtuesin e ri, një aktivist prej vitesh i kësaj dege, dhe antar i kryesisë së PD-së së Devollit. Gëzim Demçolli, është me profesion ekonomist dhe punon në degën e tatim doganave në Korçë, por që nga dje ai është kreu i demokratëve devollitë duke zëvendësuar kështu paraardhësin Hekuran Hoxholli. Z.Demçolli konkurroi përballë nënprefektit të Devollit duke avancuar me rezultatin e votave 112 kundrejt 43 të rivalit tjetër. Anëtarja e kryesisë së PD-së znj.Marjeta Zaçe, e deleguar nga qendra, konfirmoi dje për “Standard” se procesi i zgjedhjeve në degën e Devollit eci normalisht, ndërkohë që pohoi se në këto zgjedhje u vunë re anëtarësime të reja, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ajo shtoi më tej se në Devoll, PD-ja ka pasur rezultate pozitive, referuar edhe zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Në konferencën e djeshme, ishin të pranishëm dhe antari tjetër i kryesisë z.Ridvan Bode dhe deputeti i zonës, Mehmet Hoxha. Ministri i financave, z.Bode, para demokratëve të Devollit, përmendi arritjet e qeverisë gjatë qeverisjes së djathtë duke u ndalur në mënyrë të veçnatë tek investimet në këtë zonë. Por z.Bode vuri theksin dhe tek zgjedhjet e reja brenda partisë, duke vënë theksin për më shumë angazhim të strukturave të PD-së të cilat sipas tij, duhet të punojnë në funksion të një mandati tjetër qeverisës. Prej kohësh PD ka hapur fushatën e brendshme elektorale e cila po vijon në të gjitha degët e PD-së në mbarë vendin. Këto zgjedhje të cilat mbyllen me kuvendin e radhës së PD-së i cili zhvillohet në muajin prill të 2009, po kryhen përmes një formule të re, e cila është diktuar nga sistemi i ri elektoral. Anëtarësia e kryesisë së PD-së së qendrës, e ndarë në grupe pune, prej javësh është shpërndarë në bazë dhe ndjek nga afër mbledhjet e konferencave të rretheve. Vet lideri demokrat ndjek zgjedhjet kryesore, ato të Tiranës dhe Durrës, ndërkohë që pjesa tjetër është e ndarë në rang qarqesh. Zgjedhjet prekin 100 degët e PD-së në tërë territorin e Shqipërisë ndërkohë që e para degë që mbylli këtë proces, është pikërisht dega e Devollit duke votuar në krye të saj një ekonomist të njohur të zonës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›