E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: PD nuk u tërhoq për imunitetin e prokurorit, PS reflektoi



Ministri nuk pranon të ketë marrëveshje PD-PS

“Raporti Ministri-Prokurori varet nga puna e prokurorisë”

Nuk ka një marrëveshje të fshehtë politike mes Partisë Demokratike në pushtet dhe asaj Socialiste në opozitë për projektligjin e Prokurorisë. Megjithëse u duk pak i çuditshëm konsensusi i dhënë nga PS-ja ndaj këtij projekti të premten në Komisionin e Ligjeve, ka ardhur mohimi për një pakt politik nga mazhoranca. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka bërë të qartë se pikat që PS-ja kundërshtonte me shumë forcë, nuk janë hequr nga drafti, por është kjo parti e cila ka reflektuar dhe ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj projektit të qeverisë. Duke sqaruar qëndrimin e zbutur të socialistëve, të cilët kishin dalë hapur kundër projektit të ri për Prokurorinë, Alibeaj thotë: “Çështja e imunitetit të prokurorëve dhe ajo e raportimit të ministrit të Drejtësisë në Parlament për punën e Prokurorisë, u përfshinë në draftin përfundimtar të pandryshuara. Opozita ndryshoi qëndrim për këto dy nene për shkak të arsyetimit”. Këto komente ai i bëri në një intervistë dhënë për Alsat TV, ndërkohë që mohoi të ketë pasur një marrëveshje mes demokratëve dhe socialistëve që vota pro e socialistëve të jepej në këmbim të miratimit të Kodit Zgjedhor të pandryshuar sipas kërkesave të LSI-së. Por Alibeaj është treguar i kujdesshëm në komentet për lëvizjen e opozitës, duke mos e cilësuar tërheqje politike vendimin e saj. "Nuk do ta konsideroja tërheqje, tërheqje është pak fjalë e rëndë në një betejë politike. Është arsyetim dhe unë besoj ky ligj më tepër se të gjitha risitë e mira që ka sjellë dhe do të sjellë, jo vetëm për prokurorinë dhe më gjerë, unë besoj që është triumf i arsyes", - shprehet më tej ministri i Drejtësisë, i cili mban dhe firmën në këtë draft. Duke sqaruar pozicionin e ministrit në raport me punën e Prokurorisë ai tha se raporti i ministrit të Drejtësisë për veprimtarinë e Prokurorisë do të jetë vetëm teknik, dhe se ky nen, sipas tij, nuk cenon pavarësinë e organit të akuzës. "Duhet të jetë Kuvendi ai i cili do të vendosë saktësisht se cilat do të jenë masat reaguese për luftën ndaj krimit dhe mbrojtjen e qytetarëve. Nëse raporti do të jetë negativ, nuk është e ministrit të Drejtësisë, raporti nëse është negativ do të jetë pasqyrim besnik i veprimtarisë, kompetencës se Prokurorisë. Keni parasysh që raporti i ministrit të Drejtësisë mund të jetë edhe pozitiv. Dhe shumë pozitiv, nëse veprimtaria e Prokurorisë është e tillë. Në qoftë se është pozitiv, është meritë e Prokurorisë dhe nëse do të jetë negativ, sigurisht që është meritë e Prokurorisë", - sqaron ai. Kjo ishte një pikë shumë e debatueshme publikisht dhe e kundërshtuar më parë nga opozita, e cila e shihte këtë si një mundësi të pastër për të shkarkuar prokurorin e përgjithshëm nga mazhoranca në pushtet. Por deputetët e saj në komision ndryshuan qëndrim, duke thënë se projekti ka pësuar ndryshime nga ai fillestari, duke marrë parasysh dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve.

Ndërkohë, në mbledhjen e komisionit, vetë ministri i Drejtësisë pranoi se ndërhyrjet e realizuara janë bërë me anë të një konsulence të zgjeruar dhe duke iu përmbajtur Kushtetutës. “Janë identifikuar më tepër se 10 pika në të cilat në ligjin bazë duhej të ndërhyhej,10 çështje të cilat përshkohen nga e njëjta linjë logjike dhe e njëjta linjë filozofike. Duke u bazuar mbi të gjitha në atë që Kushtetuta parashikon, e cila është përcaktimi i Prokurorisë si institucion i cili në mënyrë ekskluzive ushtron ndjekje penale dhe së dyti, përfaqëson akuzën e gjyqit. Në këtë ligj, në këto ndryshime janë reflektuar në masën më të mirë të mundshme dhe ndryshimet e fundit kushtetuese”, - tha Alibeaj.

box

Konflikti me KLD-në

Enkelejd Alibeaj ka pranuar gjithashtu se ekziston një lloj ngërçi në marrëdhëniet mes ministrisë që ai drejton dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me nënkryetarin e të cilit ai ka pasur dhe përplasje publike. Ky institucion, sipas Alibeajt, nuk po ndjek ritmin e reformave të nisura nga qeveria. "Me keqardhje, ajo që mund të konstatoj është që shpejtësia me të cilën Ministria e Drejtësisë ka konceptuar bërjen e reformave është e paarritshme nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ka një moment vonese në reagimin e Këshillit të Larte të Drejtësisë", - përfundoi ministri i Drejtësisë. Disa herë nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu dhe ministri Alibeaj janë bërë pjesë e debateve për projektligjet e kësaj ministrie.

Box

PS për ligjin

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, gjatë votimit të projektligjit në fjalë në Komisionin e Ligjeve ditën e premte, tha se projekti i qeverisë ka reflektuar të gjitha mendimet e misioneve ndërkombëtare. “Nga shqyrtimi i projektligjit dhe nga konsulenca, konstatojmë se projektligji që na ka ardhur për miratim, përgjithësisht i ka reflektuar drejt rekomandimet e dy misioneve. Në vlerësojmë se projektligji që ka ardhur, do të përmirësojë dispozitat aktuale në ligjin në fuqi, sjell disa risi në Kodin Ligjor të funksionimit ligjor të Prokurorisë. Ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ka marrë miratimin e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi dhe është në pajtim me rregulloren e Kuvendit”, - tha Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›