Berisha: Bashkëpunimi PD-LSI, në funksion të përshpejtimit të ritmeve të integrimit

Shefi i mazhorancës uron Ilir Metën për rizgjedhjen në krye të LSI-së
Me shpalljen e rezultatit nga Komisioni i Zgjedhjeve në LSI, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha zhvilloi një bisedë telefonike me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta të cilin e uroi për rizgjedhjen në krye të LSI.
Duke vlerësuar zgjedhjen e tij si produkt të një fushate demokratike dhe alternativave të hapura, kryeministri Berisha shprehu besimin se kjo rizgjedhje do të shërbejë për bashkëpunimin e mëtejshëm të të dy forcave politike në koalicion, në përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Ilir Meta rizgjidhet kryetar i LSI-së
Kreu i LSI: Fitore e madhe, hapja e debatit brenda partisë.
Ilir Meta ka fituar me një rezultat të bindshëm ndaj kandidatit, Luan Rama, duke marrë 24 439 vota ndaj 6653 që kishte marrë rivali i tij. Të dy kandidatët u shprehën në përfundim të numërimit të votave se zgjedhjet e LSI-së janë shembull i zhvillimeve të brendshme demokratike, alternativave të debatit dhe korrektësisë së procesit
Ilir Meta rikonfirmohet në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një garë të hapur dhe një proces tërësisht transparent e cila u ndoq edhe nga mediat, Ilir Meta ka fituar me një rezultat të bindshëm ndaj kandidatit tjetër Luan Rama, duke marrë 24 439 vota ndaj 6653 që kishte marrë Rama. 31 442 anëtarë të LSI-së shkuan dje drejt kutive të votimit në të gjithë Shqipërinë, në 159 qendra votimi dhe me parimin një anëtar një votë ia besuan drejtimin e partisë kryetarit aktual, Ilir Meta.
Rezultati u konfirmua nga kryetari i KQZ-së për këtë proces zgjedhor, Ylli Manjani, me prezencën e dy kandidatëve në garë, të cilët uruan njëri-tjetrin sukseset.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i mbledhur sot në datën 21 tetor 2012, bazuar në tabelat përmbledhëse të rezultateve të komisioneve zonale në nivel qarku, në përfundim të këtij procesi konstaton se morën pjesë në votim 31422 anëtarë të regjistruar në listat e zgjedhësve ose 85.5 për qind e tyre. Në kutitë e votimit u gjetën realisht 31422 fletë votimi, ku 31093 u vlerësuan si të vlefshme dhe 329 u vlerësuan si të pavlefshme. Shpërndarja e votave të vlefshme rezulton si më poshtë: Kandidati Ilir Rexhep Meta ka marrë 24439 vota ose 78.6 për qind e votave të vlefshme, ndërsa kandidati Luan Mersin Rama ka marrë 6653 vota ose 21.4 për qind. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në rezultatet e mësipërme vendosi të shpallë fitues të garës për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotin Ilir Meta”, tha Manjani.
Ndërkaq, vetë Ilir Meta e konsideroi një fitore shumë të vlefshme, duke vlerësuar garën dhe debatin e hapur brenda partisë. Meta vlerësoi se politika ka nevojë për debat dhe alternativë dhe sipas tij LSI e sjell politikën në një stad më të lartë.
“Kërkoj falje për numrin e kufizuar të qendrave të votimit. Kjo është një fitore shumë e mirë se ajo tjetra,është një fitore në garë dhe veçanërisht hapja e debatit brenda partisë që do të vazhdojë edhe më etj. Për mua kjo është një fitore shumë më e bukur se sa ajo e disa viteve më parë sepse është një fitore me garë është një fitore pas një debati dhe fitorja më e madhe do të thosha është hapja e një debati brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, është e rëndësishme që ky debat të vazhdojë edhe në të ardhmen, të vazhdojë edhe në Konventën Kombëtare Zgjedhore që ne do të zhvillojmë javën e ardhshme, të vazhdojë edhe më pas një debat i cili do të zhvillohet në raport edhe më të gjithë jo vetëm me anëtarët dhe simpatizantët tanë por edhe me gjithë votuesit dhe qytetarët në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Politika jonë ka nevojë për më shumë debat, ka nevojë për mendim alternativ, ka nevojë për bashkëjetesë të qytetëruar dhe mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim e sjell politikën shqiptare dhe partiake në një stad të ri edhe më të lartë, edhe më të emancipuar, edhe më evropian, sepse qëllimi ynë është që edhe këto standarde që kërkojmë për të gjithë vendin t’ia aplikojmë dhe të japim shembullin tonë duke i zbatuar edhe brenda kësaj force politike. Pas përfundimit të kësaj gare ne do të vazhdojmë bashkëpunimin akoma më tej edhe me kolegun tim Luan Rama edhe me të gjithë kolegët e tjerë sepse kemi bindjen që vetëm në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë të jemi një forcë politike shembull, jo vetëm i raporteve demokratike brenda vetvetes por edhe i mesazheve të demokracisë që përcjell në raport me të gjithë qytetarët, në raport me të gjithë votuesit”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Nga ana e tij, kandidati Luan Rama vlerësoi se zgjedhjet në LSI u zhvilluan në mënyrë korrekte dhe transparente. Ai tha se LSI mbetet një shembull i demokracisë së brendshme partiake, frymës së debatit dhe ballafaqimit të alternativave.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë, duke e çmuar këtë si një vlerë të rëndësishme të demokracisë brenda partisë. I gjithë ky proces, edhe mua personalisht, më motivon më shumë për të rritur angazhimin dhe përgjegjësitë dhe për të kontribuar që Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm të rritet numerikisht, por ajo që është më e rëndësishme të rrisë peshën dhe ndikimin e vet në jetën politike të vendit që në zgjedhjet e 2013 Lëvizja Socialiste për Integrim të fitojë më shumë mbështetje dhe votues në Shqipëri dhe të jetë faktori përcaktues për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian”, tha ai.
Në zgjedhjet për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në 159 qendrat e votimit në të gjithë vendin, morën pjesë 31 422 anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët iu përgjigjën garës dhe u bënë pjesë e asaj që sipas z. Meta, ishte manifestim i mrekullueshëm i demokracisë e i transparencës.