Komisioni Evropian dorëzon më 12 Tetor progres-raportin vjetor për Shqipërinë

Shefi i delegacionit të BE, Sequi: Të mblidhet tryeza e partive politike për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor
Ambasadori i Komisionit Evropian Ettore Sequi i bën thirrje forcave politike t’i kthehen dialogut. Gjatë një komunikimi me mediat nga Shkodra, ambasadori Sequi konsideroi si detyra emergjente për mazhorancën dhe opozitën përfshirjen në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të vjetra dhe të reja të OSBE/ODIHR si dhe realizimin e reformave të tjera të domosdoshme për integrimin Evropian. “Në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt Evropës, duhet të realizojë reformat. Në radhë të parë duhet menduar çështja e integrimit Evropian si çështje e interesit kombëtar. Ajo që kërkohet është një angazhim i plotë nga forcat politike shqiptare, të zbatojnë prioritetet që Komisioni Evropian ka listuar për Shqipërinë vitin e shkuar, në mënyrë që ajo të ecë përpara. Dhe në mënyrë që kjo të ndodhë, e kemi thënë disa herë dhe do të doja ta përsërisja, është i domosdoshëm rifillimi i dialogut politik në Shqipëri”- u shpreh shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi. Sidoqoftë, Shqipëria duhet të presë tetorin, për të patur një kuadër për plotë dhe më të qartë të opinionit që Komisioni Evropian ka për të, këtë vit, edhe pas publikimit të raportit për Zgjedhjet dhe predispozitës së shprehur gjatë verës, për një situatë të re politike në shtator. “Unë mendoj se duhet të presim progres-raportin në mënyrë që të kemi një vlerësim korrekt. Raporti i OSBE/ODIHR u publikua dhe Komisioni Evropian do të marrë në konsideratë në mënyrë të qartë rekomandimet e tij, porsa i takon hartimit të progres-raportit, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 Tetor.
...