Berisha: “Bashkia e Tiranës po dështon në ndërtimin e Unazës së Madhe”
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive se qeveria do t’i ofrojë Bashkisë së Tiranës fondet për shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe në rast se Bashkia dështon në sigurimin e kredisë, për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale, qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e saj. “Unaza e Madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për qytetin. Bashkisë do t’i ofrohet mundësia për shpronësimin. Shanset e Bashkisë për t’u bërë e zgjedhshme për kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse informohem se ka një departament për mbledhjen e taksave prej 300 punonjësish, aq sa edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri. Sipas kësaj performance, llogaritet që ajo të mund ta shlyejë një kredi minimalisht në 125 vjet. Nuk ka institucion bankar dhe institucion financiar që të mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor”, - është shprehur Berisha. Ai tha se qeveria do të mbajë premtimin për ndërtimin e Unazës së Madhe dhe do të vërë në dispozicion fondin për shpronësimin e pronarëve. “Megjithatë, konform premtimit të dhënë për shpronësimin, duhet të bëjmë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit. Sikundër, në rast se bashkia, e cila sipas vlerësimeve të deritanishme nuk është e përshtatshme për t’u kredituar, pasi nuk jep garanci për faktin e përmendur më sipër, atëherë do ta ndërtojë qeveria. Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër detyrimin sa më të shpejtë për këtë dhe fillimin e punës”, - u shpreh kryeministri. Ai akuzoi Bashkinë e Tiranës të paaftë të mbledhë taksat megjithëse ka të punësuar mbi 300 punonjës për të realizuar këtë proces.
Shalsi: “Qeveria, pengesë për ndërtimin e Unazës së Madhe”
Bashkia akuzoi qeverinë si shkaktare të pengesës për zbatimin e projektit më të madh të Bashkisë së Tiranës, që është ndërtimi i Unazës së Madhe. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, reagon pas deklaratave të bëra nga kreu i qeverisë duke thënë se pengesë për ndërtimin e Unazës së Madhe është bërë garantimi i fondeve të shpronësimeve nga qeveria që në prillin e shkuar. Ai e konsideroi vendimin e qeverisë për ndërtimin e Unazës së Madhe thjesht një premtim pasi këtë projekt do ta realizojë Bashkia. “Në vitin 2011, qytetarët e Tiranës do të kenë këtë segment të Unazës së Madhe të realizuar nga Bashkia e Tiranës”, - u shpreh Shalsi. Sipas tij, premtimi i kryeministrit se do të jetë qeveria që do të ndërtojë këtë segment rrugor është shëmbëlltyrë e paaftësisë dëshpëruese të qeverisë. Ai vazhdoi akuzat duke theksuar se qeveria gënjen për të mbushur gropat e zmadhuara të papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, puna më e madhe për ndërtimin e Unazës së Madhe është bërë vetëm nga Bashkia. Bashkia ka bërë projektin gati për këtë segment, ka marrë miratimin paraprak të kredisë dhe ka marrë miratimin nga këshilli bashkiak.
7 Janar 2009